Juristi Kreshnik Spahiu sheh një lidhje mes fushatës anti shqiptare ndaj turizmit me zjarret orët e fundit në pjesë të ndryshme të vendit.
Në një intervistë në Report Tv për gazetaren Esmeralda Dodaj, Spahiu theksin se elementi kriminal ndaj mjedisit ka gjetur një Shqipëri të papërgatitur. Sipas tij ne kemi një legjislacion shumë të fortë, por institucionet ligjzbatuese janë shumë të brishta.
‘Dua të them prej disa javësh, mediat janë përfshirë në një fushatë anti shqiptare sa i përket turizmit. Është përballur me një fushatë denigruese, kundër bizneseve, kundër bregdetit duke e konsideruar si një vend i braktisur. Duke i bërë vulnerabël të gjithë bizneset. Duke e bërë bregdetin shqiptar vulnerabël. Në këto kushte është krijuar një frymë në disavantazh dhe muaji gusht parashikoj më i vështirë. Elementi kriminal ka gjetur një Shqipëri të brishtë përballë një sulmi anti kombëtar. Shqipëria e papërgatitur në këtë situatë. Shqipëria ka një legjislacion shumë të ashpër sa i përket krimeve kundër mjedisit. Por jemi vendi kampion që nuk ndëshkojmë subjekte që kryejnë krime ndaj mjedisit.
Dhe subjekte që kryejnë veprimtari kriminale mbeten të pandëshkuar. Sa ndëshkohet nga kodi penal kjo që ka ndodhur në Shëngjin? Deri në 20 vite heqje lirie. Ata që shkatërrojnë pronën, nga 10 deri 20 vite heqje lirie. Sot në burgje nuk gjen asnjë subjekt, që të jetë dënuar me 20 vite heqje lirie për vënie zjarresh. Kriminelët ndjehen të lirë për ta bërë Shqipërinë tokë të djegun. Ka një terren të jashtëzakonshëm sepse institucionet janë pasive. Ka një vendim të Prokurorisë që urdhëron institucionet lokale të informojnë prokurorinë për vënie zjarre.
Pushtetet lokale janë tërësisht pasive. Ju e keni parë se ç’ndodh në çdo rrugë të Shqipërisë, sheh tym që digjen plehrat. Edhe sikur të mos kemi zjarre të qëllishme, Shqipëria është jashtë kontrollit pasi djegin plehrat kudo. Në 40 gradë digjen në mënyrë barbare dhe nuk ndodh as në zonat turistike afrikane. Nuk e gjen këtë situatë që në çdo 200 metra të djegësh mbetjet urbane.’
Spahiu shton se problemi me trajtimin e mjedisit është mentaluiteti që mbizotëron që sipas tij është e pamundur të ndryshojë në një kohë të shkurtër edhe sikur të ketë dënime me nga 20 vite burg.
‘Mendoj se Shqipëria është e papërgatitur si shoqëri, si qeveri, si sistem si mentalitet për të parandaluar krimet kundër mjedisit. Keqtrajtohet në mënyrë makabër dhe mendoj se sanksioni është mjeti i fundit. Edhe sikur të dënojmë me 20 vite heqje lirie këta persona është një element por e pamundur të ndryshojmë mentalitetin brenda një muaji.’
Ndërkohë duke lënë situatën problematike me zjarret Spahiu iu rikthyer politikës. I pyetur nga gazetarja për emërimet e reja në qeveri, Spahiu thekson se ato erdhën dy ditë pas paktit Berisha-Rama për kodin zgjedhor. Berisha, shton juristi, gënjen publikisht kur thotë se i deshte listat e hapura, por PS i mbylli.
‘Ndryshime ne qeveri erdhën dy ditë pas paktit Berisha Rama. Berisha e ka të pamundur ta justifikojë ke elektorati, gënjen publikisht. GJK ka kërkuar të kundërtën, kërkoi lista të hapura. Berisha bëri pakt të hapur për ti mbyllur. Vendimi i Sali Berishës dhe PD ishte në kundërshtim me GJK por në akordim me PS dhe Edi Ramën. Kanë zbatuar oreksin e PS. Habitem se Rama do kish bërë mirë ti kishte lënë nja dy ministri PD-së. E çuditshme për socialistët ka qenë heqja e disa personazheve dhe vendosja e disa njerëzve anonimë.’
Më datë 4 gusht janë zgjedhjet e pjesshme lokale në Himarë dhe Spahiu ende sheh një përballje mes Greqisë dhe Shqipërisë. Për të është e paimagjinueshme se si Berisha vendosi kandidatin e Athinës dhe të helenizimit të Himarës dhe jugut, duke nisur me Belerin dhe me kandidatin e tanishëm Petro Gjikuria.’E paimagjinueshme se si Berisha ia la Himarën Greqisë me një kandidat nga Athina. Sikur Albin Kurti të vinin një përfaqësues të pakicave serbe ne Mitrovicë apo Pejë. Sikur Vetëvendosja të bënte aleancë me Listën Serbe e Radoiçiçit. Greqia ende nuk e ka hequr ligjin e luftës. Edhe përfaqësuesi është pjesë e klanit grek në SHBA, ka synim helenizimin e Himarës. Nga 2 mijë veta duan të marrin kontrollin dhe të kenë kontrollin në jug të Shqipërisë.’