Arrestohet një nga gjeorgjanët që përmes mashtrimit i morën pronarit të një exchange në Shkodër 140 000 euro. Gjatë operacionit të përbashkët mes Policisë Shqiptare dhe asaj Turke i koduar “TRACKING”, u kap në Stamboll dhe u deportua ne Shqipëri shtetasi gjeorgjian Kakha Joua, si i dyshuar për kryerjen e veprës “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, policia është në kërkim të dy shtetasve të tjerë gjeorgjianë, që ishin pjesë e kësaj skeme mashtrimi.
NJOFTIMI I POLICISE
Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i përbashkët mes Policisë Shqiptare dhe asaj Turke i koduar “TRACKING”. Operacioni për kapjen e autorit kryesor të vjedhjes me anë të mashtrimit të një shume të madhe eurosh në një pikë të këmbimit valutor në Shkodër.
Mashtruan pronarin e një pike të këmbimit valutor, duke i marrë 140 000 euro, falë punës profesionale të strukturave për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, u identifikuan tre autorët e dyshuar, shtetas gjeorgjianë. Gjatë operacionit të përbashkët mes Policisë Shqiptare dhe asaj Turke i koduar “TRACKING”, u kap në Stamboll dhe u deportua ne Shqiperi shtetasi gjeorgjian Kakha Joua, si i dyshuar për kryerjen e veprës “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim. Në vijim të veprimeve të thelluara, Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH, nëpërmjet strukturës së specializuar në varësi të tij, bëri të mundur zbulimin e itinerarit të autorit kryesor të dyshuar për këtë ngjarje, i cili po lëvizte nga Sarajeva në Stamboll me destinacion kryeqytetin e Gjeorgjisë.
Informacionin e siguruar për vendndodhjen e autorit kryesor të kësaj ngjarjeje, Departamenti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në DPPSH, nëpërmjet Interpol Tiranës e ka shkëmbyer në kohë reale me Interpol Ankaranë. Në kuadër të operacionit policor “TRACKING”, policia turke, bazuar në informacionin e marrë nga Policia Shqiptare e cila kishte ndjekur lëvizjet e autorit të dyshuar, bëri të mundur kapjen e shtetasit K. J., 40 vjeç, i cili është deportuar në Rinas mesditën e sotme. Në momentin e kapjes në aeroportin e Stambollit, Policia Turke, gjatë kontrollit fizik, i gjeti me vete një shumë prej 7500 euro.
Po në vijim të hetimeve të thelluara nga Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet strukturës së specializuar në varësi të tij, në bashkëpunim me DVP Shkodër, është bërë i mundur edhe lokalizimi i dy autorëve të tjerë, dhe bashkëpunohet ngushtësisht me homologët për kapjen e tyre.
Më datë 09.08.2024, rreth orës 18:00, në sheshin Zdrale, Shkodër, këta shtetas, nëpërmjet mashtrimit, i kanë marrë pronarit të një pike të këmbimit valutor, shtetasit E. I., shumën prej 140 000 euro dhe më pas janë larguar menjëherë nga Shqipëria. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Shkodër, pas kallëzimit nga pronari i një exchange, se 3 shtetas e kishin mashtruar në exchange, duke i marrë një shumë parash në euro, u bë i mundur identifikimi i 3 autorëve të dyshuar.
Në vijim të veprimeve, janë shpallur në kërkim edhe dy autorët e tjerë të dyshuar, shtetasit gjeorgjianë G. T., 45 vjeç dhe B. T., 36 vjeç, për veprat penale “Mashtrimi” i kryer në bashkëpunim. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Policia e Shtetit falënderon Policinë turke për reagimin në kohë dhe bashkëpunimin profesional që çoi në finalizimin e operacionit policor “TRACKING”.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb