Nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, janë mbyllur sot pas një aksioni të nisur nga Policia e Kosovës gjatë ditës.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, ka treguar sesi kanë ardhur deri te informacioni, ku sipas tij ata kanë pranuar informatë nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
“Ne kemi pranu një informacion nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ata na kanë njoftuar dhe kanë kërkuar që të bëjmë verifikimin e disa lokacioneve disa operatorëve që dyshohej se ishin duke operuar në mënyrë ilegale të pa licensuar dhe të pa regjistruar,” ka thënë Elshani.
Pas verifikimit të këtyre lokacioneve që ishin të sakta, Elshani thotë se njoftuan prokurorin.
“E kemi informu prokurorin dhe në komunikim e bashkëpunim me prokurorin këto 9 objekte-biznese janë mbyll dhe ky rast hetohet nga krimet ekonomike.”
Ndërsa se si shkoi ky operacion, Elshani ka thënë se nuk pati ndonjë problem, pos në njërin lokacion ku dy persona u dërguan në stacion policor për prishje rendi.
“Nuk ka pasë ndonjë problem, një rast në Leshak e kemi marrë dy persona i kemi dërguar në stacion policor për arsye se kanë qenë të dehur dhe kanë bërë prishje të rendit dhe qetësisë publike, mirëpo operacioni komplet ka kaluar i qetë,” ka shtuar Elshani.
Elshani ka deklaruar se situata në veri është e qetë dhe delikate sidoqoftë ai shton se Policia e Kosovës është në secilin vend në veri dhe thotë se është me rëndësi për Policinë e Kosovës që të mund të reagojnë në secilin vend.
Rreth aksionit të policisë së Kosovës në veri, ka folur edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky është veprim i duhur, sepse kështu vepron çdo shtet bashkëkohor dhe demokratik.
“Policia e Kosovës sipas mendimit tim sot ka zbatuar një urdhër legal, ligjor dhe legjitim. Çdo biznes në Republikën e Kosovës, duhet të jetë i regjistruar, në këtë rast në 4 komunat matanë lumit Ibër. Policia e Kosovës e ka vërtetuar se këto Posta nuk janë të regjistruara dhe operojnë pa licencë, pra janë ilegale dhe janë mbyllur. Dhe ky veprim sipas mendimit tim është veprim i duhur, sepse kështu vepron çdo shtet bashkëkohor dhe demokratik”, ka deklaruar Dashevci.
Arben Dashevci
Në fund të muajit korrik, në veri të Kosovës janë mbyllur tri pika të karburantit, ndërsa pak ditë më parë ndërkombëtarët kanë kërkuar që të mos hapet Ura e Ibrit, pyetur rreth një ndërlidhjeje të mundshme të këtyre aksioneve dhe mos hapjes së Urës për shkak që të mos dalin në shesh anët negative të Serbisë në Kosovë, Dashevci nuk e beson një gjë të tillë.
Sipas tij, Serbia e ka treguar veten në sulmin e Banjskës dhe veprimet e aksionet në veri janë veprime që ndërmerren nga çdo shtet demokratik.
“Unë nuk e besoj që mbyllja e këtyre 9 postave ose pikave të karburantit, konfiskimet të armëve ilegale anë të ndërlidhura me urën mbi lumin Ibër ose kanë të bëjnë me hapjen ose mos hapjen e saj. Serbia e ka treguar veten me sulmin e Banjskës dhe ai sulm nuk mund të harrohet ose minimizohet, ka qenë sulmi më i madh që na ka ndodhur pas luftës, ekzistojnë fakte të patjetërsueshme që nuk mund t’i zbehë askush. Pra po veprohet ashtu si vepron çdo shtet demokratik dhe sipas mendimit tim këto masa që po merren kontribuojnë në siguri dhe eliminojnë pasigurinë”, ka pohuar eksperti.
Tutje, ai ka shtuar se “çdo gjë ilegale sjellë pasiguri dhe çdo gjë legale eliminon pasiguri, sjellë qetësi dhe sipas mendimit tim nuk ka të bëje me hapjen ose mos hapjen e urës mbi lumin Ibër, sepse askush nga aleatët ndërkombëtarë nuk është kundër hapjes së urës mbi lumin Ibër që simbolizon lëvizjen e lirë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike dhe është parim sublim. Po kërkohet koordinim me aleatët dhe koordinim sipas mendimit tim duhet të ketë gjithsesi sepse këtë po na kërkon aleati ynë i përjetshëm SHBA dhe aleatët tanë nga BE”.
Theksojmë se në aksionin e mbylljes së postave, të pranishëm në monitorim kanë qenë edhe EULEX-i.