Mësimi që na dha Fred Beleri!

1 week ago 34

Nga Dritan Hila

Vizita e Fred Belerit në Shqipëri nga media u përqendrua në një goditje me vezë dhe me kos, veprim që mbase ka nxitur kureshtjen e kolegëve të tij që të mësonin kë kishin në krah dhe të shkuarën e tij. Por Fred Beleri na poshtëroi me ardhjen e tij, jo pse erdhi por çfarë vuri në pah.

Beleri nuk iu foli mediave shqiptare. As iu hodhi qyrret atyre që kanë 18 muaj që e mbajnë në faqe të parë e që kanë bërë me mijëra emisione televizive për të.

Duke vënë në pah kështu provincializmin e këtyre mediave që gërmojnë në çfarëdo llagëmi e kanali vetëm për të marrë klikime por pa ruajtur standarde dhe respekt për veten dhe kombin. Pasi nuk ka media në botë që të merret një vit e kusur me një person që kandidon në një fshat dhe merr 4 mijë vota, me një të kaluar të zezë dhe banale. Bravo i qoftë!

Nxori në pah aparencën kozmopolitite por në thelb mercenare të disa sovranistëve të djathtë, të cilët e kanë bërë flamur për gjasme shkelje të drejtave dhe autoritarizmit të shtetit shqiptar. Beleri erdhi, u kapardis, na dha leksion për të drejtat e njeriut dhe iku. As këtyre nuk iu hodhi qyrret.

Beleri na foli në greqisht, si një dëshmi e kontinuitetit të tij në rreshtimin antishqiptar dhe të çmontimit të kauzës sovranistë opozitare.

Beleri erdhi në mes të Tiranës dhe vetëm dy njerëz e pritën dhe treguan revoltë, ndërkohë që duhet të ishin të paktën ata që terrorizoi në Peshkëpisë 30 vjet më parë dhe na tregoi që patriotizmi ynë, është deri në tastierën e kompjuterit. Madje nuk munguan as ata që fajin e gjejnë tek qeveria, që për hatër të partisë nuk njohin as komb, fe dhe atdhe, megjithëse të paktën ishte Rama që nuk pranoi t’i jepte dorën apo takonte.

E gjitha që na mësoi edhe njëherë Beleri ishte se vuri në pah se ne jemi ende një shoqëri e paformuar si komb, e pandjeshme ndaj drejtësisë, mercenare që mendon me stomak. (Dritare.net)

Read Entire Article