Në datat 18-21 prill 2024, u zhvilluan Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington. Në këto mbledhje marrin pjesë ministrat e Financave të vendeve anëtare, guvernatorë të bankave qendrore, drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të botës akademike, biznesit dhe shoqërisë civile. Shqipëria u përfaqësua në këto takime nga një delegacion i përbashkët i përbërë nga Ministri i Financave, z. Ervin Mete, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, si dhe drejtues të tjerë të lartë të dy institucioneve.
Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, delegacioni shqiptar zhvilloi disa takime me zyrtarë të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, ku veçohen takimet me Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Federico Giammusso; Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer; Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, zj. Anke Weber; Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në BB, zj. Antonella Bassani; Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, z. Matteo Bugamelli; Drejtoren Rajonale për Ballkanin Perëndimor në BB, zj. Xiaoqing Yu; Zëvendëspresidentin për Rajonin e Evropës pranë Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), z. Alfonso Garcia Mora, etj. Gjatë takimeve me përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së, Ministri Mete dhe Guvernatori Sejko i njohën të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, reformat e ndërmarra, si edhe pritshmëritë për periudhën në vazhdim.
Ata theksuan se Shqipëria po kalon një momentum të mirë ekonomik. Viti 2023 u mbyll me uljen e mëtejshme të borxhit publik, i cili zbriti në nivelin 59.2%, shifra rekord të investimeve të huaja direkte, të cilat arritën në afro 1.5 miliardë euro, me një numër të lartë vizitorësh të huaj, trend i cili ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, si edhe me norma të ulëta të papunësisë. Gjithashtu sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe me norma të larta likuiditeti. Përballë një konteksti global të karakterizuar nga rritja e shpejtë e çmimeve, e pasigurisë dhe e kostove të financimit, vendi ynë ka arritur të sigurojë ritme pozitive të rritjes ekonomike, të punësimit e të pagave, progres në drejtim të reduktimit të inflacionit, si dhe ka ruajtur stabilitetin e përgjithshëm ekonomik dhe financiar.
Inflacioni ka zbritur në objektivin e Bankës së Shqipërisë brenda një kohe relavitisht të shpejtë, duke arritur në 2.3% në muajin mars, kjo edhe si pasojë e ndërhyrjeve dhe politikës monetare të ndjekur nga BSH, që ka patur si objektiv amortizimin e goditjeve dhe zbutjen e presioneve të brendshme inflacioniste. Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga autoritetet shqiptare. Ata veçuan si një zhvillim pozitiv rritjen e vlerësimit për herë të parë të agjencisë Standard&Poor’s për kreditin e Shqipërisë, i cili u pasua nga një rishikim në rritje i perspektivës edhe nga agjencia Moody’s, si edhe theksuan se dalja e vendit nga lista gri e FATF/MONEYVAL është gjithashtu një lajm me efekte shumë pozitive për Shqipërinë.
Ata vlerësuan përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian si dhe sa i përket përballimit me sukses të goditjeve të njëpasnjëshme, ku edhe sipas vlerësimeve të FMN Shqipëria rezultoi një nga ekonomitë më rezistente në rajon. Gjithashtu përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht trendin e ndjekur nga ekonomia shqiptare dhe ecurinë e treguesve dhe parametrave kryesorë makroekonomikë. Pala shqiptare falënderoi përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së për asistencën teknike dhe mbështetjen e vazhdueshme përmes financimit të projekteve konkrete të zhvillimit. Ministri u shpreh se vëmendje i është kushtuar mbështetjes në vazhdimësi të kapitalit njerëzor dhe me asistencën e Bankës Botërore synohet të analizohen të gjithë komponentët e mbrojtjes sociale. Gjithashtu, në fokus do të jenë projektet në mbështetje të turizmit dhe sektorëve të tjerë prioritarë të ekonomisë.
Guvernatori Sejko theksoi se mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar dhe investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e sistemit të pagesave, në inovacionin dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare, kanë kontribuuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e stabilitetit të vendit. Pala shqiptare u shpreh se integrimi ekonomik brenda rajonit dhe me Bashkimin Evropian nis me sistemet dhe shërbimet e pagesave. Falë pjesëmarrjes së Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro i njohur ndryshe si SEPA, po vendosen themele të sigurta për përshpejtimin e shkëmbimeve në planin ekonomik. Ministri Mete dhe Guvernatori Sejko morën pjesë gjithashtu në një takim me dyer të mbyllura me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL) për të diskutuar mbi perspektivën ekonomike dhe sfidat me të cilat përballen këto vende, organizuar nga Departamenti Evropian i FMN-së. Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Ministri Mete dhe Guvernatori Sejko morën pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe Komitetin e Zhvillimit të BB-së.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb