Policia e Beratit njofton se ka arrestuar një person dhe ka proceduar penalisht një tjetër, pasi këta shtetas dyshohet se i kanë vënë flakën një sipërfaqe toke dhe 110 rrënjë ulliri.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon sërish për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
“Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Ndezën zjarre në fshatrat Arrëz dhe Bogovë, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe toke dhe 110 rrënjë ulliri, vihet në pranga një nga autorët e dyshuar dhe procedohet penalisht një tjetër.
-Stacioni i Policisë Dimal arrestoi shtetasin A. J., 45 vjeç, banues në fshatin Arrëz, pasi si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ky shtetas ka ndezur në afërsi të tokës së tij, për të djegur mbeturina, janë djegur 110 rrënjë ulliri në pronësi të disa shtetasve të tjerë;
-Komisariati i Policisë Skrapar referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. L., 44 vjeç, banues në Skrapar, pasi si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ky shtetas ka ndezur në vendin e quajtur “Rrasa e Dobrushës”, Bogovë, për të djegur mbeturina, është djegur një sipërfaqe toke, pronë publike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon sërish për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm”, njofton policia.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb