Ndezi zjarr në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe toke me pemë frutore dhe ullinj, identifikohet dhe procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, autori i dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, si rezultat i hetimeve të kryera për rastet e zjarrvënieve, identifikuan autorin e dyshuar të një rasti, shtetasin me inicialet M. K., 78 vjeç, banues në fshatin Valas, për të cilin u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshës.
Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të shkrirë dy tuba plastike që i përdorte për vaditje, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e madhe toke me pemë frutore dhe ullinj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb