Ndezi zjarr në fshatin Kongrazhd, për të pastruar kullotën e tij dhe si pasojë u dogjën 2 ha tokë, procedohet penalisht 68-vjeçari. Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin R.N., 68 vjeç, banues në fshatin Drita, Burrel.
Ky shtetas, më datë 13.08.2024, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e barërave në kullotën e tij, e si pasojë e erës, zjarri ka dalë nga kontrolli dhe ka djegur një sipërfaqe toke prej 2 hektarësh me bimësi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon, për të gjithë banorët dhe veçanërisht për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb