Banka e Shqipërisë ka analizuar rreziqet me të cilat përballet sistemi bankar, si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.
Sipas një publikimi të fundit të kërkimeve shkencore të bankës, Raporti i Vlerësimit të Ekspozimit të Sektorit Bankar ndaj Rreziqeve Klimatike (2024) analizon ekspozimin e sektorit bankar shqiptar ndaj rreziqeve klimatike, duke përfshirë rreziqet fizike dhe ato të tranzicionit.
Përmes analizës së treguesve të ndryshëm, raporti identifikon sfidat dhe mundësitë për sektorin bankar në përballimin e këtyre rreziqeve. Banka analizon rreziqet financiare të lidhura me klimën, duke parë në detaj kanalet përmes të cilave transmetohet ky rrezik.
“Bankat janë të ekspozuara ndaj rreziqeve financiare të lidhura me klimën, nëpërmjet dy kanaleve kryesore, rreziqeve fizike dhe rreziqeve të tranzicionit.
Rreziqet fizike burojnë drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike, ndërsa rreziqet e tranzicionit lindin nga reagimi – nga politikëbërësit, novatorët ose konsumatorët – për të parandaluar dhe/ose për të luftuar ndryshimet klimatike”, thuhet në dokument.
Duke vërejtur profilin mjedisor dhe ekonomik të Shqipërisë, dhe projektimet, të cilat shfaqin një rrezik të shtuar, janë më së shumti sektoret e lidhur me ndikimin që kanë ndryshimet klimatike në sektorin bujqësor, energjetik, menaxhimin e burimeve ujore, transport dhe zonat bregdetare.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb