Konferenca e Kryetarëve mblidhet sot në orën 13:30, ku pritet të diskutohet ngritja e dy komisioneve hetimore.
Shumica socialiste bashkë me pjesën e opozitës përfaqësuar prej Gazment Bardhit po tentojnë arritjen e një dakordësie e cila do t’i jepte fund kaosit të parlamentit nisur që prej muajit tetor të vitit që lamë pas.
Top Channel mëson se socialistët janë në pritje të hapave që do të hedhë Gazment Bardhi. Në takimet e javës së shkuar socialistët kanë shprehur gadishmëri të shqyrtojnë propozimet e Gazmet Bardhit për komisionet hetimore bazuar në vendimin e gjykatës kushtetuese dhe ligjin e ri për komisionet hetimore.
Socialistët nuk kanë ndërmend të hapin shishe shampanje apo ndonjë ceremoni pompoze në nënshkrimin e një marrëveshje mes Bledi Çuçit dhe Gazment Bardhit.
Tashmë pozicioni socialistëve është shumë i qartë. Tejkalimi bllokimit të parlamentit kalon përmes mekanizmave në kryesinë e kuvendit, ku platforma propozimeve dhe diskutimeve, është Konferenca e Kryetarëve.
Testi i parë nëse Gazment Bardhi do të shkojë me propozime konkrete dhe realisht është i interesuar për një jetë normale parlamentare, do të jetë të Martë ora 13:30 ditë në të cilët Lindita Nikolla ka thirrur Konferencën e Kryetarëve.
Kujtojmë se opozita kërkon ngritjen e komisioneve hetimore dhe maxhoranca ka deklaruar se është e hapur që të plotësojë këto kërkesa.
Top Channel