Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të shtunën se ish-nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiç që mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.
“Pas sulmit terrorist e kriminal, Milan Radoiçiç u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiç po mban takime të rregullta me zyrtarë të lartë të Shërbimit sekret serb BIA, në ambientet e firmës Jablanovica në Rashkë ngjashëm me ato të Novi Pazarit po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiç dhe grupi i tij. Po realisht në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarë e grupit terrorist “Mbrojtja civile” që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Kurti i bëri këto komente gjatë një konference shtypi, por pa dhënë dëshmi, për pohimet e tij rreth një sulmi të mundshëm.
Me 29 shtator Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur për sulmin ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri më 24 shtator me ç’rast u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit.
Kryeministri Kurti tha se njëkohësisht një grup prej rreth 80 personash të gjithë të larguar nga Kosova kanë vazhduar stërvitjet në afërsi të Rashkës, një qytet në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperist. Gjatë muajit nëntor të 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut me qëllim marrjes së vilës së Radoiçiçit në brigjet e liqenit të Ujmanit por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj policisë së Kosovës ka ndryshuar pas shtimit të patrullimit të përbashkët mes policisë dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë. Ai tha se institucionet e Kosovës në bashkërendim me aleatët po angazhohem për të ofruar siguri për qytetarët pa dallim.
Zyrtarët serbë hodhën poshtë pohimet e kryeministrit Kurti përmes drejtorit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, i cili tha se deklaratat e tilla synojnë “kriza të reja për të hequr vëmendjen nga gjendja e keqe ekonomike dhe situata e rëndë në mjediset shqiptare në Kosovë”.
Ai hodhi poshtë çdo mundësi që Beogradi po përgatitet për ndonjë sulm. “Nuk ka stërvitje në terrene, është një mënyrë për të shmangur detyrimet që ka në dialog, sepse tani është koha kur duhet të flitet për hapat konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe” u tha ai medieve në Serbi.
Nuk pati ndonjë reagim nga forcat paqeruajtëse të cilat kanë shtuar praninë e tyre në terren pas sulmit të 24 shtatorit i cili nxiti përpjekje të reja të diplomacisë perëndimore për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi në bazë të një marrëveshjeje që u arrit në muajin shkurt në Bruksel dhe për rrugët e zbatimit të së cilës palët u pajtuan në Ohër në muajin mars.
Diplomacia perëndimore po kërkon nga Kosova të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.
Me 14 dhjetor Serbia tha se marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha sot se Brukseli si ndërmjetës duhet të krijojë siguri ligjore, politike dhe diplomatike të marrëveshjes dhe procesit në tërësi dhe sipas tij nënshkrimi është garanci për një gjë të tillë.
“Ne kemi nevojë për një adresim të Brukselit për shkeljet e vazhdueshme që kulmuan me letrën e kryeministres (Ana) Bërnabiç. Kot flitet për draft statut kur e ki atë letrën e Bërnabiçit. Ajo po thotë se pranoj pavarësinë e Kosovës, nuk ka ulëse në OKB dhe nuk ta respektojë të ashtuquajturin integritetin territorial. A e din çka do të thotë kur kryeministrja e vendit fqinj të thotë nuk ta respektojë të ashtuquajturën integritet territorial, kjo është paralajmërim i agresionit, ky është thelbi i gjësë”, tha ai.
Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se marrëveshja është e detyrueshme për të dyja palët dhe këshilli i ministrave të bllokut i ka kërkuar Komisionit Evropian përfshirjen e saj në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve./VOA