Përfundon Superliga e Kosovës me rekord golash të shënuar në xhiron e fundit

5 months ago 7

Sot (e shtunë) është luajtur xhiroja e 34-të në Albi Mall Superligën e Kosovës që ishte edhe e fundit për sezonin 2023/2024.

Ballkani u shpall kampion i Kosovës për herë të tretë radhazi pas fitores me rezultat minimal 1-0 ndaj Llapit në Podujevë.

Ndonëse rivaliteti ishte i ashpër me Llapin dhe Dritën që i kanë bërë konkurrencë ekipit të Ilir Dajës deri në xhiron e fundit, suharekasit arritën që ta mbrojnë titullin e kampionit.

Megjithatë, një ndër gjërat që ka rënë në sy në këtë ditë të pasur me futboll, ishte numri i madh i golave të shënuar.

Plotë 20 gola u shënuan në pesë ndeshje të luajtura sot (e shtunë) në Superligën e Kosovës, që ishte shifra më e lartë në sezonin 2023/2024.

Dueli që prodhoi shumicën e këtyre golave ishte ai mes Malishevës dhe Lirisë që përfundoi me rezultat 7-4 në të mirë të Malishevës.

Një ndeshje me shumë gola ishte edhe ajo mes Prishtinës dhe Fushë Kosovës, aty ku kryeqytetasit arritën të fitojnë me rezultat të thellë 5-0.

Sulmi dhe mbrojtja më e mirë këtë sezon në elitën e futbollit kosovar i takoi kampionit Ballkanit, që arritën të shënojnë 60 gola dhe të pësojnë 25 sosh./Telegrafi/

Read Entire Article