PO-ja e Tiranës për Murin e Berlinit!

2 months ago 10

Nga Jorgji Kote

Këtë 13 Gusht, Gjermania dhe bashkësia demokratike ndërkombëtare përkujtojnë 63 vjetorin e ngritjes së Murit famëkeq të Berlinit. Atë të diel të 13 Gushtit 1961, qysh në orën 01:54, me mijra trupa të policisë dhe milicisë gjermanolindore, të mbështetura nga një arsenal i madh makinerish dhe tankesh filluan ngritjen e Murit të Berlinit, shenjës dalluese dhe simbolit më të shëmtuar të periudhës së Luftës së Ftohtë. Brenda natës në një gjatësi prej 46 km brenda qytetit dhe 110 km jashtë tij filloi izolimi i pjesës lindore nga ajo perendimore me vendosjen e 18.200 shtyllave betoni, mbi 150 ton tela me gjëmba, etj.
Si fillim, Muri famëkeq përbëhej nga 12 km pllaka betoni dhe 137 km tela me gjemba; por, pas vitit 1964, ai u kthye në një zonë të frikshme kufitare me të gjitha pajisjet e nevojshme, duke e kthyer në një impiant vdekjeprurës.

Në fakt, ai ishte shumë më tepër se një mur kobzi. Në fazën përfundimtare, Muri i Berlinit përbëhej nga 4 breza të përforcuar. Brezi i parë i Murit me lartësi 4 metra me blloqe betoni; brezi i dytë ishte një zonë e ndriçuar me prozhektorë me gjatësi 20 – 100 metra ose “zona e vdekjes”; quhej kështu pasi kushdo që të tentonte të hynte në atë zonë vritej në vend; brezi i tretë përbëhej nga kanale dhe transhe të hapura enkas për të penguar depërtimin e automjeteve; ndërsa brezi i katërt, ishte një trase e patrulluar, me kordonë dhe roje të shumta, me 20 bunkerë dhe 302 kulla vrojtimi, nga të cilat 32 ndodheshin brenda qytetit të ndarë.

Plotësimi dhe perfeksionimi i Murit të Berlinit vazhdoi deri në vitin 1964. Por, sofistikimi i tij i mëtejshëm teknologjik ka vazhduar deri në fillim të viteve 80.

Siç ka dalë dhe nga burime zyrtare publike të kohës, ideja për ngritjen e Murit, ishte miratuar qysh në muajin Mars 1961 në Moskë gjatë një mbledhjeje të Traktatit të Varshavës. Megjithatë, në një Konferencë Shtypi më 15 Qershor 1961, në përgjigje të pyetjes së Anna Marie Doherr, korrespondente e të përditshmes prestigjioze gjermane “ Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ish-kreu i RDGJ-së së asaj kohe, W. Ulbricht pati deklaruar se “ askush nuk synonte ngritjen e ndonjë muri”.

Ajo që ndodhi më vonë e përgënjeshtroi atë haptazi. Historiani i mirënjohur gjerman Mathias Uhl, pas kërkimeve në arkivat ruse, ka gjetur të zbardhur Protokollin e bisedës sekrete telefonike ndërmjet Hrushovit dhe Ulbrichtit, zhvilluar më 1 Gusht 1961, as 2 javë përpara ngritjes së Murit. Eshtë një bisedë e gjatë 75 minutëshe, e cila është përfshirë në Librin e tij të botuar në vitin 2009 “ Ndarja e Gjermanisë” ( Die Teilung Deutschlands).

Gjatë asaj bisede janë diskutuar të gjitha aspektet politike, gjendja e përgjithshme në RDGJ, prapambetja e saj ekonomike në krahasim me pjesën perendimore, efektet dhe pasojat e ngritjes së Murit në jetën politike të të dy Gjermanive e më tej. Ulbrichti me këtë rast ka kërkuar ndihmë me krah pune edhe nga Bullgaria dhe Polonia, ndërkohë që Hrushovi u tregua i gatshëm për të dërguar të rinj komsomolas, si “ ndihmë për RDGJ-në”. Aty u bisedua edhe për aspektet konkrete infrastrukturore. Kështu, Muri do të kalonte përpara shtëpive te banimit, ndërsa pjesët e tjera, për mungesë të bazës materiale do të ndaheshin përkohësisht me tela me gjemba. Gjatë kësaj bisede u miratua dhe justifikimi për këtë absurd monstruoz me emrin “ Mur”, të cilin Ulbrichti dy javë më vonë do ta cilësonte “ mburojë mbrojtëse antifashiste”

Në fakt, ngritja e Murit të Berlinit sinjalizoi dështimin e turpshëm të një sistemi politik artificial dhe pa të ardhme. Ai ishte reagim dëshpërues ndaj arritjeve mbresëlënëse brenda një periudhe rekord të Gjermanisë Perendimore; “ mrekullia ekonomike dhe sociale” gjermanoperendimore u realizua në më pak se 10 vjet mbas përfundimit të Luftës së II Botërore, kur ish-Bashkimi Sovjetik bënte çmos pë ta penalizuar dhe paralizuar demokracinë e re gjermanoperendimore.

E kundërta po ndodhte në pjesën lindore. Në vend të premtimit për një Gjermani më të mirë, nën sundimin e një milion trupave ushtarake ruse, atje po instalohej me shpejtësi një tjetër diktaturë e egër; ishin kufizuar të drejtat dhe liritë themelore; vendi po varfërohej si rrjedhojë e papunësisë në rritje; për ndjekjen, përgjimin dhe persekutimin e atyre që mendonin ndryshe ishte ngritur një aparat gjigand me një emër të tmerrshëm STASI të drejtuar nga njeriu më i frikshëm dhe i urryer i të gjithë gjermanëve, Erich Rielke. rregjimi gjermanolindor po dëshmonte pohimet e disa rretheve marksiste në Ish – RDGJ-në se atje në fakt kishte “ socializëm për pushtetarët, por jo për masat” Megjithë ndërrimin e kupolës së kuqe gjermanolindore, pakënaqësitë dhe dështimet ndiqnin njeri tjetrin.

Pa u zgjatur në hollësi të tjera mbi atë mur famëkeq, të njohura tashmë falë shumë botimeve të huaja dhe vendase sot është me interes të ndalemi te qëndrimi zyrtar shqiptar ndaj ngritjes së Murit, temë jo dhe aq shumë e njohur për publikun e gjerë. Themi reagim zyrtar, sepse për reagim publik as që mund të bëhej fjalë, pasi siç dihet gjithçka atëhere orkestrohej dhe drejtohej me urdhër nga lart.

Vetëkuptohet se Muri i Berlinit nuk ishte lajm i mirë në Shqipëri për ata që aspironin dhe ëndëronin më shumë hapësira lirie, hapje dhe bashkëpunim. Ndërsa për rregjimin PO. Ca më tepër se Shqipëria kishte filluar të ndërtonte me kohë Muret dhe gardhet e tjera për mbylljen nga bota; ato do të shumëfishoheshin dhe sofistikoheshin më tej në vitet e ardhëshme.

Në Gusht 1961, marrëdhëniet e Ish-Partisë së Punës me Ish-Partinë e Komuniste të BS-së dhe atë të RDGJ-së ishin ftohur mjaft, sidomos pas Kongresit të 81 Partive Komuniste e Puntore në Moskë. Por, pavarësisht nga kjo, rregjimi i atëhershëm parapëlqeu të prononcohej butë në favor të qëndrimit të kampit socialist, pasi gjithsesi SHBA-të dhe aleatët e saj ishin e do të mbeteshin armiqtë e saj më të mëdhenj. Veç kësaj, duke mbështetur ngritjen e Murit, rregjimi i atëhershëm dekurajonte ato forca disidente apo kundërshtare që mundoheshin të bindnin sa më shumë shqiptarë për t’u larguar nga Shqipëria.

Kur disa vite më parë po përgatitja botimin e librit “Berlini pa mure“, krahas shumë dëshmimtarëve dhe botimeve prestigjioze gjermane, të cilave u isha referuar dhe kur isha diplomat në Ambasadën tonë në Berlin në vitet 2001 – 2006, shfrytëzova në Bibliotekën tonë Kombëtare të gjitha numrat e gazetës “Zëri i Popullit“, organi kryesor i Komitetit Qëndror të PPSH-së të asaj periudhe.

Ironikisht, pikërisht më 13 Gusht 1961, kjo gazetë, e cila bashkë me RTSH-në dhe ATSH-në ishte dhe zëdhënësi mediatik zyrtar i rregjimit, jepte një njoftim të shkurtër, sipas të cilit deri në vitin 1954, nga Gjermania Perendimore ishin larguar për në pjesën lindore 700.000 shtetas të RFGJ-së, për shkaqe ekonomike, papunësie! Çfarë gënjeshtra, kur kishte ndodhur e kundërta; nga Gjermania Lindore deri më 1961 ishin larguar për në pjesën perendimore plot 4 Milion vetë!

Duke vazhduar me shfletimin e numrave të ZP-së të datave 16 – 28 Gusht 1961, në faqet mbi lajmet e jashtme, gjatë gjithë atyre ditëve, ka shumë kryeartikuj dhe njoftime me tituj bombastikë si “ Në interes të sigurisë dhe paqes në RDGJ” “ Vendim i ligjshëm në dobi të paqes dhe sigurimit në Europë”, e të tjera.
Nëpërmjet tyre, rregjimi i atëhershëm i bënte jehonë vendimit të qeverisë gjermanolindore për ngritjen e Murit,” si një masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë së kufijve, të së drejtës legjitime për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të kërcënuar nga veprimet subversive e militariste të Bonit” Veçse aty nuk gjeje asnjë fjalë apo vërejtje kritike ndaj rregjimit gjermanolindor!

Në disa shkrime dhe njoftime të tjera u bëhej jehonë deklaratave të disa Partive Komuniste dhe lëvizjeve radikale të majta në Francë, Britaninë e Madhe e gjetkë, të cilat mbështetnin “ masat e RDGJ-së për mbrojtjen e kufirit të tyre shtetëror nga makina gjermanoperendimore e luftës“!

Ndërkohë, në numrin e datës 20 Gusht, përcillet e plotë Nota e Protestës e Qeverisë Sovjetike për Qeverinë amerikane për veprimet e sipërpërmendura provokuese, të cilat e kishin detyruar Ish-BS-në dhe RDGJ-në të merrnin “masa mbrojtëse“.

Gjithsesi, dhe lexuesi më i thjeshtë nuk e ka të vështirë të vërejë se në të gjitha këto shkrime, ashtu si dhe në propagandën zyrtare sovjetike, të RDGJ-së, etj, fjala “ Mur” nuk përmendet asnjëherë; në çdo rast, me një gjuhë të thatë e skematike bëhet gjithnjë fjalë për “ masa për mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë”.

Kësisoj, njerëzit që nuk kishin ndonjë ide të qartë për çka po ndodhte në atë kohë e sidomos në mungesë të mjeteve të informimit masiv dhe të izolimit të madh, mund edhe t’i jepnin të drejtë vendimit të rregjimit gjermano-lindor. Por, me siguri, po të thuhej se po ngrihej apo u ngrit një Mur në mes të Berlinit, 156 km i gjatë, me tela me gjemba e kështu me radhë, dhe se jo perëndimi por lindja po “ përmbytej me refugjatë nga perëndimi” atëhere dhe tingëllimi politik i këtyre njoftimeve do të ishte krejt i ndryshëm.

Ndaj, në atë duzinë artikujsh e shkrimesh kushtuar kësaj ngjarje, asnjëherë nuk përmendet fjala “ Mur”, kur ai në fakt, bënte “ MU” në mes të Berlinit!
Jo vetëm aq, por në shkrimet e sipërpërmendura, rregjimi demokratik dhe paqësor gjermano-perendimor, që kishte dhënë aq shumë prova dhe dëshmi për politikën e tij demokratike dhe paqebërës paraqitej si djalli vetë, rregjim militarist, provokues, luftënxitës; “ ëngjëjt” apo ikonat botërore të qendrës së djathtë dhe të majtë gjermane, Ish-Kancelari Konrad Adenauer “babai“ i Gjermanisë moderne demokratike, “baballar“ i BE-së dhe pajtimit historik gjerman me Francën dhe Ish-Kryebashkiaku emblematik i Berlinit Perendimor të asaj kohe, Kancelari i ardhshëm, Nobelist i Paqes, Willy Brandt, apo dhe Ish-Ministri i Mbrojtjes, F.J.Strauss paraqiteshin si provokatorë, si liderë që gjoja flisnin e mbillnin vrer kudo, deri dhe si pasues të Hitlerit, edhe pse ata dhe bashkëpuntorët e tyre ishin dënuar, burgosur apo dhe larguar për në emigracion, si kundërshtarë të Hitlerit!

Këto komente tejet negative dhe armiqësore i gjen “me shumicë“ në disa komente e njoftime të ZP-së së asaj kohe, të cilat i referohen fjalimeve dhe veprimtarive ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të RFGJ-së me rastin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare. Kësisoj, dhe rizgjedhja e Adenauerit për të katërtin mandat rresht si Kancelar i madh i RFGJ-së paraqitej si tragjedi e vërtetë për popujt gjermanë, për fatet e paqes dhe sigurisë në botë! Se çfarë alternative donin dhe kërkonin rregjimet e atëhershme komuniste në RDGJ, Tiranë e gjetkë, këtë tashmë e dimë të gjithë.

Por, siç duket, ata ndiqnin taktikën “ shpif, shpif se diçka do të mbetet”. Veçse kjo “ diçka” mundi të mbijetonte me shumë vështirësi vetëm 28 vjet, deri më 9 Nëntor 1989, kur bashkë me Murin e Berlinit u shemb dhe sistemi komunist lindor, teknologjia dhe terminologjia e amortizuar e propagandës së tij boshe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article