Raportet mes kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe ministres Donika Gërvalla, duket se kanë krisje.
Kjo gjë u konfirmua më 31 korrik, kur Osmani zhvilloi një takim me partitë parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje nuk e bëri të ditur pse lideri i asaj partie, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte paraqitur për konsultime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për përcaktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Presidentja e Kosovës, më pas, në konferencën për media tha se nuk e di arsyen e mosparaqitjes së tij dhe sugjeroi që gazetarët ta pyesin vetë.
Ajo tha se nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca kishte vullnetin për të marr pjesë në takim, por nuk e kishte pranuar meqë ftesa ishte vetëm për kryetarët e partive.
“Sot nuk ka qenë prezent kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ne nuk i dimë arsyet, besoj mund ta pyesni atë drejtpërdrejt, po supozoj që është në zyrë, kështu që mund të shkoni dhe ta pyesni”.
Krahas raportit me Kurtin, Osmani duket të ketë krisje edhe me ministren Gërvalla.
Presidentja Osmani shfrytëzoi mundësinë që t’i përgjigjet edhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla që të martën mbrëma gjatë një koncerti në sheshin e Prishtinës bëri deklarata interesante. Gërvalla e quajti kryeministrin Kurti “superstar” ndërsa për këngën e Dafina Zeqirit “llafe, llafe” që për fabul ka një ndarje të pashmangshme mes dy personave që duhen, tha se ishte për presidenten Osmani.
“Nëse doni të vazhdojë pak me këngë të Dafinës e ka një të re tash para 1 muaji. ‘Me kast me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’ ka edhe këngë të tjera Dafina”, deklaroi Osmani.
Osmani tha se ka dallime si me kryeministrin Kurti ashtu edhe me ministren Gërvalla duke shtuar se është i mundur angazhimi për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe koordinimit me aleatët.
Qëndrimet e ndryshme mes liderëve ishin vënë re në disa raste që kishin të bënin me politikat e jashtme të vendit.
E në lidhje me këtë çështje, folën analistët politikë, të cilit dhanë këndvështrime të ndryshme, sa i përket raporteve Kurti-Osmani-Gërvalla.
Zogaj: Në prag të zgjedhjeve të reja, gjithmonë e gjithkund në botë, “fryhen balonët”
E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Skënder Zogaj.
Fillimisht, ai u shpreh se janë të natyrshime debatet në prag të zgjedhjeve të reja, derisa tha se edhe inskenohen situata atraktive, nganjëherë edhe të habitshme për publikun e gjerë.
Sipas tij, ‘debatet’ mes Kurtit, Osmanit e Gërvallës janë normale.
“Në prag të zgjedhjeve të reja, gjithmonë e gjithkund në botë, "fryhen balonët" dhe gjuhen gacat ndërmjet rivalëve të ndryshëm por edhe brenda llojit, të cilët janë të vetëdijshëm se, sa më atraktive të bëhen fushatat, aq më të mira janë rezultatet e fitores.
Në vendet me demokraci të zhvilluar, ringjallen debatet, tonet ngriten, inskenohen situata atraktive, nganjëherë edhe të habitshme për publikun e gjerë, mirëpo, janë fare normale, madje edhe mobilizuese, sepse nënvizojnë çështje parimore e të dobishme ndërmjet palëve bashkëpunuese, siç është rasti ndërmjet Presidentes Osmani dhe zv/kryemimistres dhe kryediplomates Donika Gërvalla, që janë të një subjekti partiak e madje, sa di unë, janë edhe mike të mira në jetë!” – u shpreh publicisti.
Skënder Zogaj
Po ashtu, ai replikat mes Osmanit e Gërvallës i ka vlerësuae si spontane dhe të lehta, pa ndonjë konotacion negative.
Mirëpo, në rast se është e kundërta dhe ka diçka tjetër në brendi të kësaj situate, publicisti tha se “puna ndryshon për të keq”.
“Duke qenë kështu, në deklaratën e Donika Gërvallës dhe në të kundërpërgjigjurit e Vjosa Osmanit, nuk besoj se ka diçka të madhe. Unë tash për tash nuk pash asgjë të përçarjes, përkundrazi, ishin dialogime spontane, të lehta dhe të ngrohta, pa të keq! Kështu i gjykoj unë për aq sa kam pa e dëgjuar nga mediat, e nëse ka diçka tjetër në brendi, atëherë ndryshon puna! Bile ndryshon puna për të keq sepse, acarimi ndërmjet Vjosës dhe Donikës, do ta rikrijonte situatën e dikurshme ndërmjet Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës, e cila ishte brenda partiake, por me pasoja më të gjera, madje për Kosovën. Vjosa dhe Donika duhet të ulen dhe larg publilut t'ua thonë njëra-tjetrës atë që mendojnë! "Fjala është hekur e heshtja dukat" thotë një fjalë urtë e popullit!” - përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Xani: Raportet mes krerëvve të shtetit duket që kanë një krisje, që nuk daton nga dje ose nga sot, por ato janë më të thella
Kurse, analisti politik, Visar Xani vlerëson ndryshe këto raporte, derisa tha se krisja mes krerëve shtetëror daton më herët, dhe është krejt për arsye personale.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se kjo është një papjekuri institucionale, pasi raportet e tilla ndikojnë negativisht për Kosovën.
“Raportet mes krerëvve të shtetit duket që kanë një krisje, që nuk daton nga dje ose nga sot, por ato janë më të thella dhe kanë ngjyrime jashtëzakonisht personale që do duhej të ndaheshin, nëse raportet e tyre personale janë të ftohta, nuk do të duhej të ndikoheshin në pozicionet që kanë në pozitat e rëndësishme shtetërore.
Prandaj, konsideroj që është një papjekuri institucionale, që të kenë raporte të tilla dhe krisja apo moskoordinimi mes krerëve të shtetit, realisht ka ndikim negativ në shtetin e Kosovës, në imazhin e Kosovës, por edhe në punët që i kanë dhe detyrat që i kanë këto personalitete për t'i realizuar,pra detyrat ditore dhe ato që i obligon Kushtetuta”, nënvizoi analisti.
Visar Xani
Po ashtu, Xani ironizoi duke thënë se edhe reperët Mc Kresha e Fero, ia kanë zili Gërvallës e Osmanit për “dissat” e tyre.
Në fund, shtoi se ky lloj komunikimi lë një shije të hidhur, pasi po përdoret për të dhënë mesazhe negative.
“Ndërsa, sa i përket disave dhe rimave, kam përshtypjen që edhe MC Kresha ose Fero do t’ua kishin zili, për shkak që po tregojmë një profesionalizëm të mërzitshëm në këtë aspekt, që nëse sheh gjithakah tjetër është në rregull, por nëse sheh që vjen nga institucioni apo krerët e shtetit, e që kanë për qëllim mesazhe negative dhe mesazhe jokushtetuese për të përçu, atëherë të lënë një shije të hidhur dhe nuk të lënë shumë shije të mirë.
Po të ishim, pra, të ishte kjo gjuhë moderne për të dhënë mesazhe pozitive, përkundrazi kishte me qenë shumë e lezetshme dhe kishte me qenë shumë e mirë dhe moderne. Por fatkeqësisht, kjo gjuhë dhe ky lloj komunikimi po përdoret për të dhënë mesazhe negative karshi personave që janë të përfshirë në këtë komunikim”, përmbylli Visar Xani për “Bota sot”.