Një proces i ri gjyqësor ka nisur përpara gjykatës penale të Brukselit, ku janë paraqitur 10 anëtarët e dyshuar të një bande droge shqiptaro-bullgare që dyshohet se tregtonin kokainë.
Procesi u ndal pas rreth 1 ore nga momenti që nisi pasi përkthyesi që u thirr nuk kuptonte mjaftueshëm holandisht.
Në fund të vitit 2021, zyra e prokurorit publik Halle-Vilvoorde hapi një dosje për një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës bazuar në komunikimet e deshifruara të SKY ECC. Pas një hetimi të plotë, policia gjyqësore federale e Halle-Vilvoorde arriti të identifikojë një bandë shqiptaro-bullgare që vepronte nga Meise.
Banda përdorte automjete të pajisura me ndarje të fshehura për të transportuar drogë nga Holanda në Mbretërinë e Bashkuar pasi ishte ruajtur në vende të ndryshme në Belgjikë.
Gjatë hetimeve u kapën 2 transporte ndërkombëtare droge në Aalst dhe Ypres. Detektivët kryen gjithashtu 12 kërkime në të njëjtën kohë në Meise, Grimbergen, Diegem, Wezembeek-Oppem, Sint-Niklaas, Evergem, Aalst, Evere, Sint-Gillis, Oudergem, Sint-Pieters-Woluwe dhe Schaerbeek.
Gjatë operacionit u arrestuan 11 të dyshuar dhe u sekuestruan 12 armë zjarri, 40 kilogramë kokainë, 13 kilogramë heroinë, afërsisht 100 mijë euro para të gatshme, makina për numërimin e parave dhe automjete të ndryshme, duke përfshirë disa traktorë dhe rimorkio dhe kamionë të lehtë.
Prokuroria dërgoi dosjen në gjykatë me 10 të dyshuar, të cilët duhet të përgjigjen për trafik ndërkombëtar droge. E gjithë dosja do të dëgjohej të premten në sallën e 23-të të gjykatës penale në Bruksel, por rreth një orë pas fillimit gjyqtari vendosi të ndalonte.
Përkthyesi nuk kuptonte sa duhet holandisht për të përfunduar me sukses detyrën e tij. Gjyqtari vendosi shtyrjen e çështjes.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb