Ish-kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Belind Këlliçi ka denoncuar sot publikisht arrestimin e anëtarit të Kryesisë së Degës nr.2 të PD-së, pas protestës që u mbajt të premten para bashkisë.
Në një dalje për mediat Këlliçi thekson se patronazhistët e regjimit, të maskuar, kanë arrestuar demokratin, ndërsa i bëri thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë.
REAGIMI
DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I KRYESISË NË PD, BELIND KËLLIÇI DHE ANËTARI I KRYESISË SË DEGËS 2, ALFRED PLLUMBI
Të nderuar qytetarë,
Mbrëmë pas mesnate, si në epokën e terrorit të Koçi Xoxes dhe të Bedri Spahiut, policia e Taulantit dhe Edit ka arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe burracake, rreth orës 1 të mëngjesit, në shkelje flagrante të ligjit, Anëtarin e Kryesisë së Degës 2, të Partisë Demokratike të Tiranës, z. Alfred Pllumbi.
Të veshur me maska, e kanë marrë me forcë me bukë në gojë, si antishqiptarë të vërtetë, sepse kodi i shqiptarit e thotë qartë se njeriu nuk preket në bukë.
Këta janë patronazho-policët e narkoshtetit Rama-Balla. Të tërbuar nga rezistenca qytetare dhe protestat opozitare, për të mbrojtur hajdutin dhe kreun e Grupit të Strukturuar Kriminal 5D, Erion Veliajn dhe frikësuar opozitarët, ata kanë dalë prej dy ditësh në operacione kërkimi kundër protestuesve sikur të ishin terroristë.
Janë të njëjtët policë që figurojnë në listëpagesat e grupeve kriminale, që u japin atyre informacione, që punojnë për ta. Të shitur dhe frikacakë me kriminelët, trima të çartur me protestuesit e opozitës, me qytetarët e thjeshtë, që dalin para bashkisë, jo për krimin por kundër tij.
Edi Rama, Taulant Balla dhe Erion Veliaj, duhet të ndalin menjëherë operacionet kundër protestuesve të opozitës. Duhet të ndalojnë përndjekjen dhe kontrollet nëpër shtëpitë e tyre gjatë ditës dhe orëve të vona të natës. Përndryshe, hapi tjetër, ndalesa jonë e radhës, nuk është më bashkia, por vilat e tyre të bëra me gjakun dhe djersën e shqiptarëve, me paratë e narkotrafikut dhe krimit ekonomik.
Alfred Pllumbi, Franc Kaloshi, Kevin Vidrica dhe Bernard Metaliaj, që janë arrestuar dhe të tjerë që janë në kërkim, nuk ka shans të tremben apo intimidohen.
Alfred Pllumbi: Erion Veliaj, je fakti konkret se si një zvarranik ngjitet në majë, por do jesh dhe realisht një zvarranik që do të dështosh dhe do të rrëzohesh me turp, si hajduti më i madh i grupit të strukturuar të hajdutëve në Bashki të Tiranës.
Pushteti i policisë, kërcënimet dhe arrestimet dhe ato çka ke bërë nuk na trembin, përkundrazi na kanë bërë më të motivuar e më të fortë. Të jap garanci dhe siguri se ne të gjithë sëbashku nuk do të tërhiqemi pa u larguar nga bashkia ti Erion, si dështak dhe kryehajdut.
Belind Këlliçi: Demokratët, opozitarët, protestuesit, nuk ndalen. Dhuna e horrave me maska, nuk na tremb. Do të shihemi sërish të premten, sërish përpara tempullit të korrupsionit në vend që quhet Bashkia e Tiranës. Mund të keni shumë spiunë, patronazhistë, uniforma të shitura te krimi, por ne kemi më shumë popull. Ne kemi të drejtën në anën tonë.
Duke i falenderuar me mirënjohje, të gjithë ata që kanë dalë tri të premte rresht kundër regjimit, hajdutëve dhe narko-policëve të tij, u bëj thirrje, edhe në emër të Alfredit, Kevinit, Francit dhe Bernardit, të jemi më shumë, më të bashkuar, më të fortë, të premten në ora 11:00, përpara Bashkisë Tiranë.
Rama, Balla dhe pronari faktik i Inceneratorit të Tiranës Erion Veliaj mund të na ndjekin natën, por ne u dalim përballë si burrat në mes të ditës.
Ftojmë të gjithë faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, që të ngrenë zërin në mbrojtje të qytetarëve të thjeshtë, të cilët janë përditë në luftë më korrupsionin dhe keqqeverisjen e Erion Veliajt.
Të dënojnë një herë të vetme dhunën e ushtruar ndaj protestuesve paqësorë, nga paramilitarë dhe patronazhistë pa mjete identifikimi apo simbole të Policisë së Shtetit, një pjesë e të cilëve janë të evidentuar tashmë si kultivues e përdorues të lëndëve narkotike, e si rrjedhojë janë pranuar në polici tërësisht jashtë kritereve që kërkon ligji për Policinë e Shtetit dhe të vetmin kriter që plotësojnë është të qënurit anëtar i PS dhe përdorimi i tyre si kamikazë kundër protestuesve tëopozitës.
Garantojmë qytetarët se të gjithë ata individë dhe çdokush që uniformën e Policisë së Shtetit e identifikon si kontribut për PS e jo në shërbim të qytetarëve, do vijë shumë shpejt dita që do të përgjigjen para ligjit dhe qytetarëve shqiptarë.
Sa për Erion Veliajn dhe shtabin e tij elektoral 5D, me të cilin vodhi votat dhe çdo ditë vjedh paratë e qytetarëve të Tiranës, na keni përballë dhe përballë do na keni!
O sot, o kurrë!
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb