Protestë kundër Gjykatës Speciale në Kosovë; aktivistët e PSD përleshen me policinë: Haga po lufton UÇK-në

10 months ago 24

Protesta e organizuar nga partia Socialdemokrate kundër kryetares së gjykatës speciale të Hagës, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë këtë të mërkurë përfundoi në dhunë dhe përplasje me forcat e policisë.

Anëtarët e PSD u mblodhën përpara hotelit ku kryetarja e Gjykatës Speciale po zhvillonte një takim me shoqërinë civile. Ata mbajtën disa fjalime dhe më pas hodhën mjete shpërthyese e tymuese në drejtim të policisë.

Kjo nxiti reagimin e njësive speciale, të cilët arrestuan kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe pesë anëtarë të tjerë të kësaj partie.

Policia shpërndau pjesën tjetër të protestuesve përmes gazit lotsjellës dhe sprajit.

Më herët aktivistët deklaruan se kryetarja e gjykatës është e padëshiruar në Kosovë, pasi ka për qëllim nxjerrjen e UÇK si organizatë kriminale.

DARDAN MOLLIQAJ

KRYETAR I PSD

“Sa herë që kemi qenë më afër marrëveshjeve të këqija me Serbinë ka pasur përndjekje të ushtarëve të UÇK-së. Sa herë kanë dashur me na barazua Kosovën dhe Serbinë janë përndjekur ushtarët e UÇK-së. Bash tash kur Serbisë nuk po ia kërkojnë njohjen e Kosovës dhe bash tash kur po ia japin autonominë e serbëve në Kosovë, krerët e UÇK-së janë në Hagë. Këtu vepra për çka këta akuzohen janë vepra të vjetra të UNMIK-ut të vitit 2000-2001, por tash që duhet me u afrua me Serbinë tash duhet ushtarët e UÇK-së me i përndjek”

Molliqaj akuzoi edhe kryeministrin Albin Kurti se është i lumtur për qëndrimin e krerëve të UÇK në Hagë dhe se përfiton nga kjo për t’iu dhënë autonomi serbëve të Kosovës.

 “Arrestimi i Thaçit dhe të tjerëve që janë në Hagë ka qenë i mundshëm vetëm pas një fryme që erdh me Lëvizjen Vetëvendosje. Hetimet kundër tyre kanë ndodhur shumë moti dhe gjykata është themeluar më herët, por kur e panë që populli po e mbështet një subjekt politik që nuk e mbështet luftën e UÇK e panë që është e mundshme”

Pas qetësimit të situatës nënkryetari i PSD-së kërkoi lirimin e Molliqajt dhe të arrestuarve të tjerë, ndërsa akuzoi policinë se është instrumentalizuar nga vendimet politike dhe se ka përdorur dhunë joproporcionale ndaj protestueseve.

Read Entire Article