PSG e vetmja kampione që kryeson në Europë

9 months ago 37
23:20 01/01/2024

Kampionatet kryesore të Europës kanë zhvilluar fazën e parë të saj, duke krijuar iluzione të mëdha për tifozët anembanë botës. Duke iu referuar fundit të sezonit të shkuar dhe renditjes momentale, vetëm një klub kampion mban edhe aktualisht kreun. Bëhet fjalë për PSG-në, që mban edhe ‘kurorën’ si kampione e dimrit. Skuadra franceze grumbulloi 40 pikë pas 17 takimesh, duke fituar 12, barazuar 4 dhe pësuar vetëm një humbje këtë sezon. Megjithatë, këto shifra nuk arrijnë ato që u regjistruan vitin e kaluar në këtë pikë të sezonit, pasi PSG kishte 44 pikë, ose e thënë ndryshe dy fitore më shumë, teksa barazimet ishin vetëm 2.

Edhe pse kampionët e sezonit të kaluar në La Liga, Premier League dhe Bundesliga kanë rënë në renditje, këto tre klube qëndrojnë në zonën që në fund të sezonit të kualifikon në Champions League. Në Spanjë, Barcelona zë vendin e katërt me 38 pikë, nëntë më pak se një edicion më parë, ndërsa i duhet të rikuperojë një hendek prej 7 pikësh me kryesuesit.

Në Angli, situata duket e ngjashme. Manchester City zë vendin e katërt, me 37 pikë, teksa i duhet të rikuperojë një ndeshje. Citizens kishin 45 pikë në këtë moment të sezonit vitin e shkuar. Ndërsa për sa i përket Bundesligës, Bayern Munich është në vendin e dytë me 38 pikë, katër më pak se Bayer Leverkusen, që deri më tani ka befasuar edhe skeptikët. Edhe pse diferenca mund të jetë e vogël, duke qenë se gjiganti bavarez ka luajtur një takim më pak.

Situatë totalisht ndryshe në Serie A. Napoli, kampione në fuqi gjendet momentalisht jo vetëm larg kreut, por edhe nga zona e Kupave të Europës. Paraqitje e dobët nga ana e jugorëve, që i nevojitet një formë perfekte në fazën e dytë për të zhvlerësuar diferencat me kryesuesit e kampionatit, Interin.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article