Rezultatet që e ‘tronditën’ opozitën, vjen parashikimi i mirë për qeverinë Kurti

1 month ago 12
Reklamë

Një anketim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), i publikuar të enjten, nxori në pah perceptimet e njerëzve për çështjet socio-ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Të dhënat për këtë përmbledhje janë mbledhur nga 17 prilli deri më 7 maj 2024, duke reflektuar opinionin e mbi 1,300 të të anketuarve që mbulojnë të tridhjetë e tetë komunat, duke përfshirë zonat urbane dhe rurale, dhe duke përfshirë të gjitha komunitetet e Kosovës.

Ajo çka bie në sy në të dhënat e këtij raporti është edhe fakti se 50 për qind e të anketuarve janë shprehur të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, një rritje krahasuar me të dhënat e anketës së kaluar kur kjo shifër ishte mbi 42 për qind.

Rritje ka shënuar edhe kënaqshmëria e qytetarëve me drejtimin politik dhe ekonomik të Kosovës.

Këto rezultate janë sinjal pozitiv për qeverinë Kurti, ku dimë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë shumë larg.

Derisa, lajm jo i mirë po del të jetë për partitë opozitare, të cilat tash e një kohë po kërkojnë zgjedhje të parakohshme, me shpresën dhe besimin se do ta rrëzojnë qeverinë Kurti nga pushtet.

Megjithatë, të dhënat nga terreni nuk po shkojnë krahë pritshmërive dhe pretendimeve të opozitës, pasi po raportohet për një rritje të besimit qytetar ndaj qeverisë aktuale.

Kapiti: Qeveria Kurti ka fituar besueshmëri të thellë publike në Kosovë

E këtë raport të UNDP-së, e komentoi opinionisti Skënder Kapiti.

Si fillim, ai tha se të dhënat e nxjerra nga ky raport, përputhen me opinionin qytetar dhe intelektual në vendin tonë.

“Sipas raportit të “Pulsi Publik” hartuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (UNDP), sipas të cilit mbi 50 për qind e të anketuarve janë shprehur të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, gjë e cila përputhet plotësisht edhe me opinionin qytetar dhe atë intelektual në Kosovë”.

Gjithashtu, opinionisti paralajmëroi se Kurti do fitojë sërish zgjedhjet e ardhshme, madje beson me rezultat edhe më të thellë.

“Dhe, prandaj, ky rezultat besueshmërie që ka ardhur duke u rritur, kjo vërteton se qeveria Kurti ka fituar besueshmëri më të thellë publike në Kosovë, por edhe te ndërkombëtarët, madje si qeverisa më e mirë, dhe e cila do fitojë akoma më thellë në zgjedhjet e ardhshme”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.

Image

Skënder Kapiti

Qarri: Rritja rapide e kënaqshmërisë së qytetarëve me drejtimin politik drejt të cilit po shkon Kosova, duket se njëmend ka shqetësuar tej mase opozitën e inkriminuar

E në lidhje me këto rezultate, ka folur edhe njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se raporti i UNDP-së është i besueshëm, këtë e vërteton edhe evidentimi i një rënie të madhe të kënaqshmërisë me sistemin gjyqësor.

“Sipas raportit me emrin “Pulsi Publik” që hartohet me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (UNDP), shprehja e mbi 50 për qind të të anketuarve, të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, tregon një rritje të madhe, për kohë relativisht të shkurtër, krahasuar me të dhënat e anketës së nëntorit të kaluar kur kjo shifër ishte vetëm pak mbi 42 për qind.

Në anën tjetër, fakti se raporti i UNDP, është i besueshëm, flet edhe evidentimi i një rënie të madhe të kënaqshmërisë, veçanërisht me (mos)punën e gjykatave dhe të prokurorive të kapura e të korruptuara, të cilat përveçse dyshohet se nuk e kryejnë punën me kohë, e as si duhet, i vonojnë gjykimet, shtyjnë seancat për shkaqe të pakuptueshme dhe pa arsye bindëse, nuk bëjnë gjykime të drejta e të paanshme dhe zvarritin me shumë vite, shumë lëndë gjyqësore, për t’i parashkruar ato dhe mos dhënë gjykimin e duhur ligjor ndaj personave të “paprekshëm””, deklaroi analisti.

Image

Gani Qarri

Po ashtu, analisti potencoi se opozita është e shqetësuar nga këto rezultate, pasi këtë e vërtetojnë sipas tij edhe sulmet dhe akuzat nga më të ndryshmet që po ia bëjnë qeverisë.

“Rritja rapide e kënaqshmërisë së qytetarëve me drejtimin politik drejt të cilit po shkon Kosova, duket se njëmend ka shqetësuar tej mase opozitën e inkriminuar, e cila duke ditur shkaqet, për të cilat populli i Kosovës, i ka rrëzuar me "theqafje" të pariparueshme nga pushteti, janë shqetësuar deri në atë shkallë çmendurie, sa nuk po lënë më mjet as mënyrë pa përdorur, për ta njollosur pushtetin dhe qeverisjen aktuale.

Fatkeqësisht përveç prodhimit industrial të shpifjeve, dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme në sistemin e kapur prokurorial e gjyqësor, në popull përflitet edhe për përzierjen e njerëzve të caktuar në ngjarjet e ikjeve nga burgjet e Kosovës, përfshi enigmën e trishtueshme të likuidimit të Faton Hajrizit në Serbi, ku duhet të jenë të përzier edhe shqipfolës të caktuar, të cilët ndoshta për të mbuluar gjurmët, tani edhe bëjnë sikur e qajnë shuarjen e tij, kur dihet se Fatoni kishte mundësi më të sigurta, të ikte përmes Malit të Zi në Bosnje, apo përmes Shqipërisë në BE dhe jo të linte jetën në Serbi”.

Tutje, analisti u shpreh se disa nga statistkat e nxjerra nga raporti i UNDP-së, janë treguesit vendimtar se qeveria Kurti, gjendet në rrugën e duhur për të fituar edhe mandatin e ardhshëm qeverisës.

“Të dhënat se vetëm kënaqshmëria e komunitarëve të pakicës serbe lojal ndaj Vuçiqit, ka rënë në 5.7%, nga 10.4 % sa ishte në kohën e qeverive të inkriminuara të cilat bashkëpunonin me kriminelët serb të veriut, dhe dëshpërimi i përbashkët i thellë i tyre me opozitën e inkriminuar për kohët e kaluara sallamadi, krahasuar me gatishmërinë e përgjithshme aktuale, të më se 76% të qytetarëve tjerë të Kosovës, që të votojnë nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti”, si dhe raporti i UNDP-së, mbi kënaqshmërin e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës,  janë treguesit vendimtar se Qeveria Kurti, gjendet në rrugën e duhur dhe po marshon, pothuajse e sigurt drejt mandatit të dytë qeverisës, apo thënë më saktë, drejt fitores maksimale, për të triumfuar edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, sipas tij partitë opozitare të shqetësuara nga rezultatet e qeverisë Kurti, kanë filluar t’i aktivizojnë edhe “edhe elementet më subversiv kriminal, e pse jo edhe njerëzit e SHIK-ut ilegal”.

“Akt ky që duket se ka filluar t’i shqetësojë më tepër se të gjitha përmasat e mundshme partitë opozitare, ndaj duket se kjo ka bërë, që të jenë aktivizuar, së fundi edhe elementet më subversiv kriminal, e pse jo edhe njerëzit e SHIK-ut ilegal, që të bëjnë krejt çfarë është e mundshme, për ndryshimin apo të paktën zbehjen qoftë edhe minimale të rezultateve kolosale të Qeverisë Kurti, të arritura vetëm brenda pak vitesh, përderisa partitë e inkriminuara, për dy dekada me radhë, shkatërruan e stërkeqën dhe vodhën çdo gjë të vlershme materiale e monetare, që mundën dhe arritën, në vitet e pushtetit të tyre të pasluftës, akt fondamental i cili ka bërë, që ata përjetësisht dhe papërmirësueshëm të mbeten të urryer, përgjithmonë nga qytetarët e Kosovës!” – përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

Read Entire Article