Rajoni i Veriut, më i varfri për nga të ardhurat për frymë në raport me Rajonin e Qendrës dhe të Jugut, po penalizohet edhe më shumë nga barra e pagesave në rrugë.
Familjet e Veriut, që jetojnë në Tiranë, për t’iu ardhur në ndihmë të afërmeve që jetojnë në qytetet e Kukësit dhe Tropojës, duhet të paguajnë 15 euro vajtje-ardhje për në vendet e origjinës.
Qyteti i Kukësit u penalizua edhe më shumë pasi me ndërtimin e urës së re mbi Drin nga kompania koncesionare, hyrja e qytetit e humbi tërësisht lidhjen me aksin kombëtar.
Kukësi është qarku më i varfër i vendit dhe nga më të varfrit në Europë. Në vitin 2022, standardet e jetesës në Kukës janë sa 19% e mesatares së BE-së, duke e krahasuar PBB për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse.
Në të njëjtin vit, mundësitë ekonomike të qytetarëve më të varfër të vendit nuk janë as sa gjysma e kryeqytetasve.
Kur u matën të dhënat e varfërisë për herë të fundit në vitin 2012, Kukësi është rajoni më i varfër në vend. Niveli i varfërisë në rang kombëtar ishte 12,3%, ndërsa në Qarkun e Kukësit, 22.5%, ose dy herë më shumë se mesatarja kombëtare.
Pas vitit 2014, Qarku i Kukësit ka pësuar rënie të ekonomisë, gati si me pasojat fatale që shfaq një forcë madhore, të tilla si fatkeqësitë natyrore.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, nga viti 2014-2020, ekonomia e qarkut më të varfër të vendit shënoi rënie kumulative, me rreth 11%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë, ekonomia kombëtare u zgjerua me 13.7%.
Siç shihet nga të dhënat, rënia ishte më e fortë në vitet 2014-2015, me përkatësisht 6.8% dhe 6.7%.
Shpenzimet e transportit janë pjesë e rëndësishme e shportës së shpenzimeve familjare.
Rritja e shpenzimeve të transportit do të thellojë më tej pabarazinë ndërmjet Veriut dhe pjesës tjetër të vendit dhe do të ndikojë negativisht në lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës drejt plazheve të Jugut.
Në anën tjetër të vendit, në Kosovë, çmimi i naftës është së paku 30% më i lirë se në Shqipëri, ndërsa kostot e ndërtimit të rrugëve janë nga më të ulëtat në Europë. /Monitor/
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb