Kontrata mes shpërndarësit të energjisë elektrike në Kosovës KEDS-it dhe kompanisë serbe Elektrosever mundëson faturimin në veri të Kosovës pas më shumë se dy dekada.
Megjithatë, qytetarët serbë të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit e Mitrovicës së Veriut duken që nuk janë të informuar mbi këtë marrëveshje.
Përkundër kësaj, ata kanë shprehur gatishmërinë që të fillojnë të paguajnë për shpenzimet që bëjnë.
“Çfarë t’ju them, nuk di asgjë t’ju sqaroj… Nëse bëhet për të paguar, do ta paguajmë”, u shpreh qytetari Momir Mijoviç.
“Asgjë nuk jam e informuar (për marrëveshjen midis KEDS-it dhe Elektrosever), as nuk kam dëgjuar… Kur duhet të paguajmë, duhet. I gjallë në varr askush nuk shkon, vetëm kur duhet”, tha qytetarja Sllavica Jankoviç.
Shoqëria civile serbe thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç po manipulon me serbët e Kosovës për ekzistencën e kësaj marrëveshjeje, megjithatë shton se serbët e kanë kuptuar që shpenzimet duhet të paguhen.
“E kanë kuptuar se rryma nuk vjen nga Zoti… Jam i sigurt se edhe në veri vjen koha që të gjithë ta paguajnë rrymën. Deri tani kemi pasur një shërbim jo korrekt, me amplitude serioze dhe me kualitetin e rrymës, ne kemi humbur shumë gjëra teknike brenda banesave dhe shtëpive. Tani nëse kemi një kontratë tjetër dhe me një operator më serioz, mendoj se me paratë të cilat i kemi shpenzuar për riparimin e pajisjeve, tani do ta paguajmë rrymën”, tha Branislav Krstiç.
Nga viti 1999 deri në 2017-tën shpenzimet e energjisë elektrike në Veri i kanë paguar në faturat e tyre qytetarët tjerë të Kosovës.
Pas një vendimi të Gjykatës kjo është ndërprerë e që nga ajo kohë, Qeveria e Kosovës ndanë rreth 10 milionë euro në vit për operatorin e transmisionit KOSTT-in për të mbuluar humbjet e energjisë në atë zonë.
Top Channel