As moti me reshje të dendura nuk i ka ndalur dhjetëra fermerë të disa fshatrave të Roskovecit e Dimalit të ngrihen mesditën e sotme në një protestë për t’i thënë stop ndërtimit të Termocentralit në Suk 1.
Njëzëri në kulmin e indinjatës, me pankarta në duar, banorët e kanë quajtur vdekjeprurës ndërtimin e këtij termocentrali në zonën e tyre duke theksuar se prania e tyre do të shkatërrojë një sipërfaqe bujqësore prej 700 ha me sera pasi sipas tyre jo vetëm toka, uji, por edhe ajri do të ndoten. “Ne jemi të vendosur për të ndaluar këtë bombë ekologjike, që po na sjellin në derë të shtëpisë kanë thënë fermerët dhe do të protestojmë fuqishëm ashtu siç u ngritën fermerët në Mbrostar të Fierit dhe ndaluan ndërtimin e inceneratorit në zonën e tyre.”, tha një prej protestuesve.
Fermerët kanë pohuar gjithashtu se tentativa e bashkisë së Roskovecit për ti hapur rrugën ndërtimit të këtij termocentrali në zonën bujqësore të Suk 1, është kriminale, pasi mjaftueshëm kanë vuajtur nga ndotja dramatike e puseve të naftës.
“Ne kërkojmë urgjentisht transparencë pasi nuk jemi vënë në dijeni të këtij projekti”, -kanë thënë fermerët protestues duke paralajmëruar edhe grevë urie. Ndërkohë ndërtimi i këtij termocentrali ka ngjallur debate të ashpra edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak ku është rrëzuar me shumicë kartonësh nga këshilltarë të majtë e të djathtë duke i dal në mbrojtje 35 mijë banorëve të kësaj zone. Këshilltarët i janë bashkuar edhe protestës së sotme duke kundërshtuar fuqishëm këtë të ashtuquajtur ndërtim strategjik. Këshilltarët e djathtë Dhurata Malka e Fredi Feleqi në prononcimin për mediat u kanë bërë thirrje edhe këshilltarëve që votuan pro, ta kundërshtojnë këtë investim vdekjeprurës.
Protestat kundër ndërtimit të këtij termocentrali të refuzuar në bashki të tjera të vendit, do të vijojnë pa u ndalur.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb