Sulmi ndaj Osmanit, zbardhen prapaskenat e skandalit në Shkup: Ishte ‘kurth’ i këtyre shërbimeve!

3 months ago 14

Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi të enjten autoritetet e aeroportit të Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare, duke penguar presidenten gjatë kalimit nëpër aeroport.

Në një deklaratë të publikuar nga Bekim Kupina, zëdhënës i presidentes Osmani thuhet se “në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”.

Autoritetet maqedonase kanë hedhur poshtë këto akuza të Presidencës kosovare, por thanë se kanë nisur hetimet për këtë rast.

Nga kompania TAV thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë.

Më pas, Presidenca e Kosovës reagoi sërish e revoltuar me deklarimet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, por edhe me propagandën kundër Kosovës nga disa media në shtetin fqinj, lidhur me incidentin që ndodhi më 1 gusht në Aeroportin e Shkupit ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se i ka paraqitur një notë proteste autoriteteve maqedonase, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.

Presidenca kërkoi nga autoritetet në Shkup që “në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Kosovës”, me urgjencë të trajtojnë këtë rast dhe të merren masa “ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës”.

E në lidhje me gjithë këtë skandal diplomatik të RMV-së ndaj Kosovës, vecanërisht presidentes Osmani, kanë folur ekspertët për mediumin tonë.

Ramabaja: Sigurimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit shkaktoi një shkelje flagrante diplomatike

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” ka folur profesori Sadri Ramabaja.

Si fillim, ai u shpreh se sigurimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit ka bërë shkelje diplomatike, me rastin e sulmit ndaj presidentes Osmani.

Image

Sadri Ramabaja.

Po ashtu, potencoi se me këtë rast u shpërfaq ndikimi serbo-rus në Shkup.

“Sigurimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit shkaktoi një shkelje flagrante diplomatike - sulmoi Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, duke shpërfillur haptazi normat ndërkombëtare dhe duke shpërfaqur qartë ndikimin e thellë serbo-rus në Shkup.

Pas provokimit që segmente të shërbimeve serbo-ruse kishin bërë në Malin e Zi (përmes aprovimit të një rezolute në Parlamentin malazez për kampin në Jasenovac, që pasoi me shpalljen e tre liderve politik malazez si persona non gratahttps), vije ky provokim i radhës nga deluzionistët nacionalist maqedon të VMRO-së, edhe këta në shërbim të luftës hibride serbo-ruse”, deklaroi profesori.

Sipas tij, ky veprim duhet ciëlsuar si kurth për provokime të marrëdhënieve ndëretnike në RMV dhe raporteve me Kosovën.

“Ky akt duhet cilësuar i tillë si është - kurth i këtyre shërbimeve për provokim të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut dhe madje edhe mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kujt i konvenon prishja e marrëdhënieve të Kosovës me RMV?

Kundërveprimi duhet të jetë edhe më i matur se ai i Kroacisë.

Maqedonia dhe e ardhmja e saj nuk rrezikohet në asnjë mënyrë nga shqiptarët. E ardhmja e saj është e ndërlidhur dhe ndërvarur pikërisht nga sjelljet dhe qëndrimi ndaj shqiptarëve autokton në Maqedonin e Veriut dhe raporteve me dy republikat tona - Shqipërinë politike dhe Republikën e Kosovës”, përfundoi Sadri Ramabaja për “Bota sot”.

Shala: Të mos harrojmë se Presidentja është personi që ka informacionin shtetëror të Republikës se Kosovës

Kurse, këtë çështje e ka komentuar edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image

Drizan Shala.

Si fillim, ai hodhi dyshime se ky incident, mund të jetë porositur nga Kosova ose mund të jetë një veprim i subjekteve politike në Maqedonin e Veriut kundër shtetit tonë.

“Incidenti ndaj Presidentës se Republikës se Kosovës në Maqedonin e Veriut!

A është një incident i porositur nga Kosova apo një veprim subjekteve politike në Maqedonin e Veriut kundër Republikës së Kosovës (Pozicioni i Presidentit të Shtetit)?

Interesante janë disa zhvillime që janë bërë këto muaj që i kemi lënë pas në nivelin e brendshëm politik të Kosovës (luftë hibride kundër gjithçkaje që ka etiketë shtetërore deri në veprimin e aktorëve joshtetërorë ndaj palëve të interesit të vendit)”, u shpreh eksperti.

Shala për “Bota sot” potencoi se ka diçka shumë interesante, tek rasti i presidentes Osmani, ku përmendi katër pika kyçe, një prej tyre është edhe shkelja e nenit 27.3 të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

“Por, të kthehem pra të incidenti në aeroportin e Shkupit ku në shënjestër ishte kreu i shtetit të Republikës së Kosovës tregon diçka shumë interesante:

a. Shkelje e nenit 27.3 të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike (VCDR) nga ana e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

b. Dështimi i policisë së Maqedonisë së Veriut për t'i ofruar ndihmë kreut të shtetit të Kosovës (përpara se të ndërmarrë veprime për të thirrur Kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut).

c. Mos respektimin e marrëdhënieve ndërshtetërore Maqedonia e Veriut/Republika e Kosovës.

d. Apo ka ndikim politika e Beogradit brenda mekanizmit shtetëror të Maqedonisë së Veriut dhe sulmi ndaj sovranitetit të shtetit të Republikës së Kosovës”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, eksperti shtoi se presidentja Osmani ka vepruar me të drejtë, në rastin kur e ka mbrojtur telefonin e saj.

“Të mos harrojmë se Presidentja është personi që ka informacione top sekrete të Republikës se Kosovës dhe kështu ka vepruar me të drejtë, duke mbrojtur telefonin e saj, se kalimi në duart e palës tjetër do të cenonte sigurinë kombëtare”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.

Read Entire Article