ELBASAN
Realiteti i ditëve të sotme në mjaft lagje e fshatra, sidomos në fshatrat malorë të Librazhdit si në të gjithë Shqipërinë është i trishtë. Lagje të tëra duken të shkretuara. Në shumë prej tyre shikon vetëm toka të lëna djerrë, pemë të thara, shtëpi e stalla të rrënuara e rrugë të shkatërruara.
Në shumicën e lagjeve në disa fshatrave nuk shikon më as pula, as lopë, as dhen, as dhi, as kuaj e nuk dëgjon më as të lehura masive qensh e as zhurma njerëzish. Ky është realiteti i dhimbshëm edhe i disa fshatrave të mëdhenj që dikur numëronim mbi 100-200 familje.
Sot në disa fshatra malorë të Librazhdit jetojnë vetëm pak familje, të cilat mënyrën e vetme të jetesës kanë kopshtarinë, bletarinë,bujqësinë e blegtorinë. Ndërkohë në fshatra të vegjël gjen vetëm tre, katër familje me pleq që vijnë në behar e në dimër ikin, ndërkohë që të rinjtë kanë ikur në emigrim para shumë vitesh pasi nuk kanë parë aty asnjë shpresë për të ardhmen.
82-vjeçarja Dije Dobra, një grua e zgjuar dhe e mençur, nënë e dhjetë fëmijëve e cila jeton ende në lagjen Arrës të fshatit Gizavesh në Njësinë Administrative Dorëz në Bashkinë e Librazhdit tregon me dhimbje se në lagjen ku ajo jeton nuk ka më familje të tjera.
“Vite më parë ishim qindra familje sot kemi mbetur vetëm një nga fisi Dibra në pjesë e sipërme të lagjes më të famshme të gjithë zonës së Dorëzit. Dikur këtu jetonin djem e vajza punëtore, inteligjente e të bukura e të shkolluara, ndërsa sot as nuse nuk vijnë më në këtë fshat edhe sikur të urbanizohet e të ndërtohen vila luksoze. E ardhmja e mjaft fshatrave duket e zymtë, teksa çdo ditë që kalon, edhe ata banorë që jetojnë aty kërkojnë të largohen drejt qytetit apo në emigrim. Nënë Dije Dobra tregon se ajo jeton në fshat me njërin nga djemtë dhe nusen e tij së bashku me tre fëmijët e tyre. Kam ardhur nuse 18 vjeçe në këtë fshat në vitin 1960 dhe sot jam 82 vjeçe.Solla në jetë 10 fëmijë , 7 vajza dhe 3 djem dhe sot kam 35 nipër, mbesa, stërnipër e stërmbesa të cilët jetojnë në Greqi e Itali . Unë duke qenë në moshë të thyer, vendosa të qëndroj në fshat pasi në këtë moshë ishte shumë e vështirë të ambientohesha me jetën e zhurmshme të qytetit.
Im bir Hekurani që kujdeset për mua e ka blerë një apartament të mirë në periferi të Elbasanit, por jeton ende këtu në fshat edhe pse na mungojnë fqinjët, mungon rruga e çdo gjë tjetër .Sivjet djali i tij i madh është Maturant dhe e ndjek gjimnazin larg në fshatin Dorëz .Nipi e ka ëndërr të studiojë në Akademinë e Policisë . Edhe mbesa është në Gjimnaz dhe studion shumë.I vogli është Hasani 12 vjeç .Ai mban emrin e Gjyshit të tij , pra të bashkëshortit tim të ndjerë dhe është tip studios. Im bir Hekurani dhe e shoqja e tij rropaten me punët nga mëngjesi herët deri në mbrëmje vonë . Më dhimbsen se sakrifikojnë e lodhen shumë . Duhet të kujdesen për mua , për mirëqenien e familjes,për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve , për të mbjellat, për bagëtitë, për pemët, për gjithçka. Jeta këtu dhe sidomos në fshatrat e thellë të Shqipërisë në këtë kohë është mjaft e vështirë.Që të jetosh në kushte minimale duhet të punojnë të gjithë si i mituri, adoleshenti, i rrituri edhe i moshuari’- thotë 82 vjeçarja.
Fshatra të tërë të rrethit të Librazhdit ashtu si të gjitha fshatrat e Shqipërisë po vazhdojnë braktisen,ndërsa të rinjtë emigrojnë .Aktualisht ata që kanë mbetur janë pothuajse vetëm të moshuar, të cilët nuk kanë ku të shkojnë tjetër ose kanë vendosur vetë që të mos largohen deri në fund të jetës nga vendlindja. Të gjithë shqiptarët edhe gjatë viteve të fundit po rendin nga fshati drejt qyteteve të mëdha duke u ndjerë të detyruar për ti “braktisur” fshatrat që edhe në vitin 2024 ka mbetur pa rrugë, pa ambulancë e pa shkolla fillore në lagje.
Momentalisht situata e braktisjes së fshatit dhe zhvendosja e popullsisë drejt qytetit është alarmante dhe në shumicën e lagjeve në fshatra tani jetojnë mosha të thyera, mbi 60 vjeç. Mungesa e infrastrukturës dhe cilësia e dobët e saj si edhe mungesa e shërbimeve bazë janë ende dukshëm më të ulëta në zonat rurale, dhe veçanërisht në zonat e thella dhe malore. Kjo sjellë rënie të popullsisë në fshatra dhe në vitet në vijim do ketë rënie drastike edhe në numrin e atyre pak fermave blegtorale të vogla dhe të mesme edhe pse tregu është i ” uritur” për mish dhe bulmet .Vitet ’80 të shekullit të kaluar ishin vitet e fundit ku në Shqipëri popullsia ishte më e përqendruar më shumë në zonat rurale se ato urbane.“Nëse kjo vazhdon në këto përmasa, pasojat do të jenë katastrofike.
Pjesa dërrmuese e fshatrave të Shqipërisë po boshatisen nga shqiptarët dhe do popullohen pjesërisht vetëm nga turistët e huaj që preferojnë mrekullitë e natyrës së fshatrave malorë. Gjithsesi nënë Dije Dobra nga Lagja Arrës në fshatin Gizavesh të Librazhdit i bën thirrje rinisë të mos e braktisë vendin dhe e këshillon qeverinë që ti kthejë sytë nga fshati, sepse fshati ka mrekulli të shumta natyrore, ka ajrin e pastër, ka qetësinë, ka fruta, ka perime, ka bulmetin , ka mishin etj , etj .
“Edhe në fshat po të ketë infrastrukturë e shërbime jetohet mjaft mirë. Prandaj qeveritë duhet të punojnë e mendojnë më shumë për fshatin. Ne jemi brezi që jetuam e punuam pa kushte, por me sakrifica rritëm shumë fëmijë dhe ia dolëm e i gëzohemi sukseseve e jetës së begatë të tyre. Fshati duhet kthyer në një vend të jetueshëm e mbyll bisedën 82-vjeçarja librazhdase e cila lumturohet kur sheh e dëgjon që disa fshatra që dikur i kishte mbuluar varfëria e tejskashme, sot po urbanizohen e po zhvillohen.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb