Gazetari Igli Çelmeta ka ngritur pikëpyetje në lidhje me vdekjen e Eglantin Progës në qytetin e Pogradecit, duke theksuar se babai i dy fëmijëve “u vra tre herë, nga autori, Policia dhe Prokuroria”.
Ai u shpreh se Policia dhe Prokuroria e Korçës do duhet t’u përgjigjen një sërë pyetjesh në lidhje me rastin, duke nisur nga arsyeja pse u hoq shiriti skenë krimi nga vendngjarja dhe më pas u vendos sërish kur erdhi informacioni nga spitali që Eglantin Proga ndërroi jetë.
Pikëpyetjet sipas tij vijojnë me arsyen se përse nuk ka regjistruar kamera e sigurisë në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe pse pikërisht atë ditë nuk punonin kamerat.
Reagimi i plotë:
Eglantin Proga në Pogradec u vra tre herë, nga autori, Policia dhe Prokuroria!
Pyetjeve që duhet t’u përgjigjet Policia dhe Prokuroria e Korçës!
1-Pse u hoq shiriti skenë krimi nga vendngjarja, në fillim u la pak minuta dhe u hoq dhe më pas u vendos përsëri kur erdhi informacioni nga spitali që Eglantin Proga ndërroi jetë? Kush dha urdhër?
2-Pse nuk ka regjistruar kamera e sigurisë në lokalin ku ndodhi ngjarja, pse pikërisht atë ditë nuk punonin kamerat? Për zbukurim i mbante kamerat në lokal pronari??? Kush i fshiu pamjet?
3-A kanë shkuar të afërm të autorit të krimit pak pas ngjarjes në komisariatin e Pogradecit? Nëse po, çfarë donin atje?
4-Pse Policia e Shtetit nuk dha njoftim paraprak zyrtar për ngjarjen të shtunën kur ndodhi krimi? (Njoftimi u dha të nesërmen, 15 orë pas ngjarjes) Çfarë e pengoi Policinë?
5-Pse veprimet hetimore u bënë me vonesë dhe sekuestrimi i kamerave u la për në fund?
6-Pse nuk iu dha ndihma e parë Eglantinit e ta çonin direkt në spital, por pritën 30 minuta ambulancën?
7-Pse dëshmitarët okularë japin dëshmi kontradiktore për ngjarjen dhe janë hequr prova nga vendngjarja?
8-Pse zyra e shtypit e Policisë së Korçës i dha informacionin e pavërtetë gjoja me burime gazetarëve në Korçë që “viktima ishte i dehur dhe ishte rrëzuar në rrugë”? Nga e nxorën këtë konkluzion, pasi një të vdekuri nuk i bëhet test alkooli?
9-Ku bazohet prokuroria në cilat prova që e cilëson si “vrasje nga pakujdesia”, kur nuk ka pamje filmike për ta vërtetuar që ka ndodhur nga pakujdesia?
10-Si mund të bazohet prokuroria për ta cilësuar “vrasje nga pakujdesia” vetëm nga dëshmitë e personave të cilët nuk kallëzuan krimin dhe penguan zbardhjen e së vërtetës? Si mund të merren për bazë dëshmitë e personave që fshehën krimin?
11-Pse Policia dhe Prokuroria nuk tregojnë motivin e ngjarjes? A e kanë zbuluar atë me prova?
12-Pse u përhap menjeherë në media dosja paraprake e prokurorisë e mbushur me dëshmi të personave që fshehën krimin?
13-Pse nuk jepet dëshmia e autorit, por vetëm e dëshmitarëve?
14-Pse drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrumbullaku kërkoi inspektim të veprimeve të Policisë së Pogradecit? Pra, diçka nuk ka shkuar siç duhet te hetimi që është bërë?
15-Pyetja e fundit për Policinë dhe Prokurorinë e Korçës, a keni ndopak ndjesi njerëzore, a jeni njerëz apo ça jeni që nuk e hetoni siç duhet ngjarjen ku një baba u vra padrejtësisht dhe la dy fëmijë jetim, por bëni një hetim të turpshëm?
TURP të keni!
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb