Emisioni “Kjo Javë” në News24 ka ndërtuar skenën 3D të atentatit të ndodhur pasditen e 30 tetorit në Shkodër. Masakra në lagjen Dobraç i mori jetën tre personave, Hamza Licit i cili dyshohet të jetë edhe shënjestra e autorëve, Arlind Bushati i cili ishte pasagjer në makinë me të, dhe një gruaje të pafajshme, Flutura Basha e cila ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes.
Siç mund të evidentohet në pamjet 3D, për 150 metra atentatorët kanë qëlluar drejt shënjestrës, ndërsa vjen një moment që Hamza Lici, i cili edhe drejtonte makinën humb kontrollin e saj. 70 plumba janë derdhur drejt automjetit nga dy armë zjarri kallashnikov.
Me makinën tip “Benz S Class”, të bërë “shoshë” nga predhat e AK-47, Hamza Lici godet motomjetin me të cilin udhëtonin çifti Basha, dhe që i mori jetën Flutura Bashës dhe la në intubim bashkëshortin e saj, Bashkim Basha për shkak të plagëve të marra nga përplasja.
Pavarësisht nga përmasat e ngjarjes, autoritetet nuk kanë rënë në gjurmët e autorëve. Këta të fundit pas atentatit dogjën automjetin tip Land Rover rreth 5 km larg nga vendi ku zbrazën armët. Bashkë me makinën u shkrumbuan edhe armët kallashnikov.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb