Prokuroria e Posaçme, RENEA dhe agjentë spanjollë zbuluan mbrëmjen të premtes një laborator kokaine në lagjen e VIP-ave të “Kodrës së Diellit 2”, në Tiranë. Më herët ishte zbuluar një punishte droge në fshatin Qerekë të Fushë Krujës. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar disa kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe përzierës. BalkanWeb dhe News24 sollën pamjet ekskluzive të vilës ku ishte ngritur laboratori i kokainës në kryeqytet.
Ndërsa numri i të arrestuarve deri tani raportohet të jetë 5 persona, njëri prej të cilëve nga Venezuela. Arrestime janë kryer në fshatin Vishnje në Njësinë Administrative Baldushk, ndërsa paralelisht aksioni antidrogë ka vazhduar edhe në fshatin Ibë.
Ndërkohë në mesnatë operacioni u fokusua sërish te lagjja e VIP-ave në Tiranë, “Kodra e Diellit 2”. Gazetari Igli Çelmeta raportoi se ka dyshime për të tjerë laboratorë kokaine në këtë zonë, të ngritura në vilat luksoze që dominojnë këtë lagje. Disa shtëpi janë kontrolluar dhe po vijon bastisja edhe në banesa të tjera.
Grupi kriminal ndërronte vazhdimisht banesat, kjo për të shmangur rënien në sy dhe humbur gjurmët. Operacioni mbrëmjen e kësaj të premte u zhvillua në disa zona si Kavajë, Shkozet, Vorë, Kamëz, Qerek dhe Tiranë te Kodra e Diellit.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb