Nënkryetari i PD-së dhe Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, pasditen e së shtunës, ku 42-vjeçari Eglantin Proga, babai i dy fëmijëve humbi jetën si pasojë e dhunës nga Denis Meçe, tashmë i arrestuar.
Ngjarja në fjalë prodhoi reagime të forta për shkak se pati një tentativë për fshehjen e ngjarjes, duke e trajtuar atë si një humbje jete të një qytetari, i cili ishte rrëzuar në trotuar.
Gjithsesi në reagimin e sotëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit u tha se nuk ka pasur asnjë tentativë për fshehjen e ngjarjes, ndërsa në orët e pasdites, Prokuroria e Korçës njoftoi se ka marrë nën hetim një inspektor policie.
Gjekmarkaj shkruan se fshehja e vrasjes së Egli Progës, 42 vjeçarit nga Pogradeci është një ngjarje tejet e rëndë, e cila kompromenton Policinë e Shtetit, organet e drejtësisë dhe ato të mjekësisë.
Gjekmarkaj shprehet se ato jo thjesht heshtën për disa kohë, por u bënë palë me kriminelin duke e mbrojtur edhe për lidhjet e tij farefisnore me eksponent lokal të pushtetit!
Dhe në vijim të reagimit të tij, nënkryetari i PD-së, shprehet se për një krim kaq makabër dhe kontekstin e saj të fshehjes, heshtjes së institucioneve që duhet të ishin në anën e viktimës ende nuk ka thënë asnjë fjalë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
“Ai doli nga xhepi i Kryeministrit pak ditë më parë si një pupac nga bota e madhe e anonimitetit pikërisht që të mbetet i tillë pa gojë, pa sy, pa gjuhë në krye të Policisë së Shtetit!
Ai nuk ka leje të mendojë, as të kërkojë ndjesë, as të flasë, as të japë dorëheqjen, si gjëja më natyrshme në këtë rast jo e jo!! Të flasë? Mbase nuk di e ndoshta për këtë është emëruar”, shkruan Gjekmarkaj.
Reagimi Agron Gjekmerkaj
Fshehja e vrasjes së Egli Progës, 42 vjeçarit nga Pogradeci është një ngjarje tejet e rëndë, e cila kompromenton Policinë e Shtetit, organet e drejtësisë dhe ato të mjekësisë! Ato jo thjesht heshtën për disa kohë, por u bënë palë me kriminelin duke e mbrojtur edhe për lidhjet e tij farefisnore me eksponent lokal të pushtetit!
Ndoshta kjo heshtje e qëllimshme në stinën elektorale ku po hymë është një shenjë bese për banditet dhe “çunat” kudo ata veprojnë e jetojnë për “mbarësinë e Rilindjes”!
Ngjarja në Pogradec është një kujë dhe vaj jo vetëm për familjen Proga që humbi njeriun e dashur, por edhe për çdo qytetar shqiptar i cili beson se policia duhet ta mbrojë nga krimi, se drejtësia duhet të dënojë kriminelët se mjekët nuk duhet të kenë frikë për të dëshmuar dhunën e tyre që përfundon te vdekja!
Për një krim kaq makabër dhe kontekstin e saj të fshehjes, heshtjes së institucioneve që duhet të ishin në anën e viktimës ende nuk ka thënë asnjë fjalë ministri i Brendshëm, Hoxha.
Ai doli nga xhepi i Kryeministrit pak ditë më parë si një pupac nga bota e madhe e anonimitetit pikërisht që të mbetet i tillë pa gojë, pa sy, pa gjuhë në krye të Policisë së Shtetit!
Ai nuk ka leje të mendojë, as të kërkojë ndjesë, as të flasë, as të japë dorëheqjen, si gjëja më natyrshme në këtë rast jo e jo!! Të flasë? Mbase nuk di e ndoshta për këtë është emëruar!
Të degjojë opinionin publik? Mbase ka dyll në vesh dhe vazhdon i qetë! Të shohë? Mbase sheh vetem spotet e propogandës!
Në raste të ngjashme dikush edhe ka ikur e të tjerë sëpaku janë munduar të thonë diçka, ky hiç nuk ekziston! Çfarë alarmi dhe mjerimi njëkohësisht! Shtatori po vjen dhe Hoxha do përballet me Opozitën në Kuvend për këtë krim të dyfishtë në Pogradec me shtetin kumbarë meqënëse nuk ka ndërgjegje të vetën që të perballet dhe të ikë Hoxha pa din e imanë nga erdhi në punët si çirak politik !!
Agron Gjekmarkaj
Nën Kryetar i PD
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb