Situata e zjarreve në vend
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 47 vatra zjarri. Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive.
📍 Në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, strukturat vendore kanë punuar pa ndërprerje për izolimin e vatrës së zjarrit. Zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë.
📍 Në qarkun e Tropojës, janë aktive dy vatra zjarri: në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen si dhe në fshatin Çeren, ku vatra e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Alpeve është përhapur dhe terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen.
📍 Në fshatin Kus, të njësisë administrative Bërzhitë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin Lugë. Vatra është e izoluar dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.
📍 Në fshatin Tërnovë në bashkinë e Bulqizës, vatra e zjarrit vijon rë jetë aktive pavarësisht përpjekjeve të shumta nga forcat në terren për ta vënë nën kontroll.
📍 Në fshatin Selixë të bashkisë së Matit zjarri është aktiv në dy vatra. Për shkak të erës së fortë, izolimi ende nuk është arritur.
📍 Në fshatin Skuraj, në bashkinë e Kurbinit, nuk ka zjarr të hapur, por tymi vijon si rezultat i djegies së humusit nën bimësi.
Në vendin e quajtur Mali i Pusit, përballë fshatit Zhulat dhe mbi fshatin Sotirë, në bashkinë e Dropullit situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit, ku zjarri aktiv ka kaluar në kurorën me pisha. Forcat vendore janë në monitorim të situatës.
📍 Në fshatin Kostar, në bashkinë e Finiqit dhe në fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë, zjarri vijon të mbetet aktiv por nuk paraqet rrezik për banesat. Po punohet intensivisht për shuarjen e tij.
Nën bashkërendimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Forcat tona të Armatosura kanë përforcuar përpjekjet e ekipeve të pushtetit vendor, dhe kanë izoluar vatra të rrezikshme në terrene të vështira. #TëGatshëmNëÇdoKohë🚒
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb