Emisioni Vetting në News24 ka trajtuar çështjen e rikonstruksionit të bulevardit të Dibrës dhe fasadave të godinave. Fondi limit për këtë tender ishte 225 mln lekë ose 2.25 mln euro, ndërkohë që kompania fituese është shpallur “Alko-Impex General Construction” shpk, me ofertën 2.2 mln euro.
Peshkopia është një nga qytetet më të rëndësishme në verilindje të Shqipërisë dhe një nga nyjet kryesore të lëvizjes përsa i përket pozitës gjeografike pasi është kthyer edhe në qendrën e turizmit malor.
Kjo bashki ka qenë në qendër të betejës elektorale midis partive politike sepse rezultatet në këtë zonë kanë patur impakt të drejtpërdrejtë te zgjedhjet e parlamentare të 2017 dhe 2021, pasi ka qenë një zonë, që ka prodhuar rezultate zgjedhore surprizë.
Në këtë episod, “Vetting” do të trajtojë abuzimet dhe keqpërdorimin e parave publike nga Bashkia Dibër, ku evidentohen probleme që ndikojnë jo vetëm te infrastruktura e qytetit, por edhe te imazhi i tij.
Në mjegullën që mbulon prapaskenën e marrëveshjeve korruptive mpleksen interesat e zyrtarëve të lartë me të njëjtat kompani që janë nën hetim nga SPAK, por kanë lidhje familjare me pushtetin qendror.
Si gjithmonë, në qendër të grabitjes janë paratë publike, para që dalin nga xhepat e qytetarit shqiptar për ti ofruar shërbime, para që nuk janë pronë e zyrtarëve të bashkisë apo kompanive private, por duhet të menaxhohen nga ata që janë punësuar për ti shërbyer taksapaguesit shqiptar.
Këto taksa merren çdo vit nga puna e banorëve të kësaj zone, për tu plotësuar kërkesat sociale dhe ekonomike, që nuk po përkthehen në shërbime për qytetarin, por gjejnë rrugën te xhepat e disa individëve që shkelin ligjin.
Janë këta banorë, që denoncuan shkeljet e bashkisë, ku “Vetting” mori indiciet për të kryer një investigim, që tregon rrugën e fondeve publike që janë akorduar nga buxheti i shtetit deri te shpërndarja e tyre te bashkitë dhe zbatimi i projektit nga kompanitë private.
Por çfarë ka ndodhur? Emisioni Vetting ka zbardhur detajet
Më 20 maj 2024, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të hapte tenderin “Transformimi Urban në Hapësira Publike Kryesore Rajoni 2” Projekt Zbatimi “Bulevardi i Dibrës”, i cili përfshin rregullimin e Bulevardit “Isuf Elezi” dhe të fasadave të godinave përreth me fond limit 225 milionë lekë ose 2.3 milionë euro.
Në garë morën pjesë 19 kompani dhe në fazën finale u skualifikuan të gjitha, duke u shpallur automatikisht fituese kompania “Alko-Impex General Construction” shpk me ofertën me vlerën rreth 2.2 milionë euro.
Automatikisht ky tender është shënuar me flamur të kuq nga Open Data Albania pasi paraqet indicie për korrupsion dhe favorizim të kompanisë.
Projekti i ri konsiston në rikualifikimin urban të Bulevardit të Dibrës, si dhe ndërhyrje pjesore për rikonstruksionin e fasadave përgjatë tij. Gjendja aktuale e Bulevardit të Dibrës është tepër e amortizuar. Gjithashtu disa fasada dhe një pjesë e trotuarëve kanë nevoje për ndërhyrje për rikonstruksionin e tyre.
Sipas një nga prej banorëve të Bashkisë Dibër, pllakat edhe mundet të zëvëndësoheshin, por këtu askush nuk e ka mendjen tek rregullimi i sheshit, por tek tenderat, si këta edhe ata që kanë ikur e do vinë. Këtu është krijuar ideja vetëm tendera, tendera, tendera”
Në një inspektim që zv. Kryeminisrja, Belina Balluku, ka kryer në Dibër u shpreh se “tani çfarë ka pasur gjithmonë problematike ky bulevard ka qenë se materiali i zgjedhur herën e parë nuk ngjiste në gurin i cili nuk kishte mundësi të duronte të ftohtin që Dibra ka gjatë dimrit. Kështu që unë shpresoj që ky gur ti qëndroj kushteve atmosferike të vështira që kemi në këtë zonë gjatë dimirit”.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb