Kryeministri Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha vizituan sot familjet e heronjve të policisë Afrim Bunjaku e Enver Zymeri në Vushtrri, të cilët ranë në krye të detyrës për sundimin e ligjit, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
Në një postim në Facebook, kryeministri Kurti tha se në Samadrexhë, gruas Lumnijes, vajzës Arbenitës dhe dy djemve Fatlumit e Jetlumit, motrës Fexhrijes si dhe të afërmve të tjerë, iu shprehën edhe njëherë mirënjohjen e thellë për sakrificën dhe kontributin e rreshterit të policisë, heroit Afrim Bunjakut.
“Aty shkuam bashkë me djalin e Enver Zymerit, Sokolin. Nga aty, me dy djemtë e Afrim Bunjakut, Fatlumin e Jetlumin vizituam familjen e Enver Zymerit. Na pritën vëllai Egzoni, gruaja Drita, djali Sokoli, vajzat Luljeta e Rinesa, axha Ramadani dhe shumë të tjerë. Enverin e kujtoj dy herë. Një herë për shërbimin dhe sakrificën e tij dhe një herë tjetër për bacën Rremë, babanë e tij, Muharremin, shokun tim të burgut, me të cilin e kam ndarë të njëjtën qeli për një vit, në burg të Serbisë, e i cili ndërroi jetë para dy vjetësh”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri, nuk do të harrohen asnjëherë si pjesë e historisë krenare të Republikës së Kosovës.
Top Channel