Deputeti socialist Petro Koçi në rubrikën “Opinion” në News24 e konsideroi si një fenomen shumë të rëndë skandalin që ka përfshirë spitalin Onkologjik pranë QSUNT.
Koçi tha se korrupsioni në Shqipëri është shoqëror dhe nuk duhet të trajtohet si një fenomen politik.
“Në raport me fenomenin dhe autorët që të gjithë janë në opozitë, këtu kam parasysh qëndrimin e opinionit publik.
Por qëndrimi që mban opozita lidhur me këtë skandal është edhe i çuditshëm, por edhe i kompromentuar. Këta mendojnë se përgjegjësi ka politika. Që ata nuk kanë vepruar vetëm kjo as që diskutohet, por opozita shkon dhe akuzon Ministrinë e Shëndetësisë, më konkretisht ministrin”, tha Koçi.
Ai u shpreh se nga eksperienca që ka si ministër, çdo informacion që do të kishte do e çonte ose te Drejtoria e Policisë, ose te Prokuroria, që të hetohej rasti.
“Kemi njerëz që janë kapur me presh në dorë. Mes atyre që janë kapur me presh në dorë ka ndonjë që është patronazhist të PD-së, atëherë çfarë do të themi ne që e ka fajin kjo parti?
Këtu s’ka lidhje të kujt janë, ata u kapën në një moment shumë të rëndë, shumë kompromentuese, një sjellje barbare, nëse ata që kanë thënë janë të vërteta”, tha Koçi.
Ai tha se duhen goditur fajtorët, ato që janë kapur me presh në dorë, ndërsa opozita shkon dhe akuzon Qeverinë, Ministrinë, duke zhvendosur vëmendjen nga grupi që u kap, diku tjetër.
“Përgjegjësi mbajnë ata që kanë krijuar këtë grupin e strukturuar, mund të ketë edhe persona të tjerë që mund të kenë përgjegjësi administrative, sepse mund të mos kenë vepruar duke qenë në dijeni të asaj që ka ndodhur”, tha Koçi.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb