Serbi- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në Novi Sad. Çatia e stacionit hekurudhor është shembur duke lënë pas 8 persona të vdekur.
Ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiç konfirmoi numrin e viktimave.
Daçiç tha se dy persona janë në spital dhe se një person është në gjendje të rëndë pasi i është prerë këmba.
Ai tha gjithashtu se ekipet e shpëtimit janë në kontakt me dy persona që janë ende nën rrënoja dhe se po punojnë për t’i nxjerrë të gjallë.
“Nga rrënojat janë nxjerrë tetë trupa, tetë janë lënduar. Dy janë në spital dhe kanë mbijetuar, edhe pse gjendja e njërit prej tyre është e rëndë, këmba është prerë, dy janë ende nën rrënoja. Kemi kontakte me dy persona, po punojmë që të dalin të gjallë”, tha Daçiç.
Ai tha se ekipet e shpëtimit kanë qenë në vendngjarje menjëherë pas marrjes së thirrjes, brenda pak minutash dhe se operacioni i shpëtimit ka qenë shumë i vështirë dhe ka vazhduar prej disa orësh.
Më shumë se 80 ekipe shpëtimi nga disa qytete po marrin pjesë në operacionin e shpëtimit me ndihmën e makinerive të rënda.
“Është një aksion jashtëzakonisht i vështirë që sigurisht do të zgjasë edhe disa orë. Ne do të monitorojmë situatën dhe ju do të informoheni,” u tha Daçiç gazetarëve në vend dhe falënderoi të gjithë në Novi Sad për ndihmën e tyre.
Sipas tij, pas operacionit të shpëtimit do të bëhet një hetim për të përcaktuar se kush është përgjegjës. Daçiç njoftoi se do të shkojë në spitalin e Novi Sadit për të vizituar të plagosurit.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se për shkak të aksidentit që ndodhi në stacionin hekurudhor në Novi Sad, sot është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës së atij qyteti dhe një tragjedi për të gjithë Serbinë.
“Kjo është një tragjedi e madhe, e tmerrshme për Novi Sadin dhe për të gjithë Serbinë. Në emër të Qeverisë së Serbisë, në emrin tim dhe në emër të të gjithë qytetarëve, dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave”, tha Vuçeviç në stacionin hekurudhor në Novi Sad./vizionplus.tv