Veliaj: Ata që djegin goma para bashkisë, dikur digjnin goma në Astir dhe ne fituam me 60%

4 months ago 5

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj komentoi edhe protestat e dhunshme të opozitës para Bashkisë së Tiranës.

Nga Kashari, ku zhvilloi një takim me socialistët e kësaj zone, Veliaj kujtoi kohën kur në Astir opozita digjte gomat dhe bllokonte punimet e Unazës, e cila sot është kthyer në një arterie ekonomike për qytetin.

“Ne kemi kaluar sfida të jashtëzakonshme në këtë komunitet. Më kujtohet kur jemi takuar bashkë para 4 vitesh, kur bëheshin protestat tek Astiri, ku të ishe socialist në zonën e Astirit ishte nga gjërat më të vështira.

Në momentin që sot digjen gomat një herë, dy herë, dymbëdhjetë herë te bashkia, tani quhet rutinë, por ai stil, ajo formë e të bërit politikë me djegie gomash, me urrejtje ndaj njëri-tjetrit, me përçarje ndaj njëri-tjetrit, nisi tek Astiri, ku atëherë ishte tjetër kryetar i PD dhe thoshte: Këtu është vija e kuqe dhe nuk do të kalojë autostrada.

Ndërkohë, ajo autostradë është arteria kryesore ekonomike, transporti, energjie, biznesi për gjithë Tiranën dhe ja ku jemi sot. Për të gjithë ata që thoshin kjo është një vijë e kuqe, ne s’do e kalojmë kurrë, ne socialistët thoshim: jo more njerez, se nuk mund të bllokohet qyteti kështu. Nëse dikush ka ndërtuar pa leje, do kompensohet, por qyteti duhet të ketë autostradë, qyteti duhet të ketë shkolla, qyteti duhet të ketë parqe, qyteti duhet të ketë të gjitha lehtësirat që i ka çdo qytet tjetër”, theksoi ai.

Veliaj tha se ata që djegin goma para bashkisë, janë të njëjtët që dikur digjnin goma në Astir.

“Ai ishte një moment kritik, se pala tjetër thoshte kjo është vija e kuqe dhe kanë bërë të njëjtën gjë në fakt. Janë të njëjtët njerëz që digjnin goma tek Astiri, ata djegin goma edhe në bashki; të njëjtët njerëz që dilnin me pistoletë tek këndi i lodrave, dalin me pistoleta dhe armë kudo tjetër, është e njëjta racë.

Ne nuk e kemi shkopin magjik të ndryshojmë mendjen e të gjithëve, por fakti që pas gjithë asaj beteje, me goma të djegura, me bllokim rrugësh, me zjarr, me konflikte, me rrahje me policinë, ne arritëm jo vetëm të bëjmë rrugën dhe Unazën, por të fitojmë mbi 60% tek Astiri, kjo është një meritë e jashtëzakonshme e forcës tonë, e atyre njerëzve, burra dhe grave, që vërtet besojnë tek kjo kauzë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article