Është ekstraduar në Shqipëri autori i vrasjes së Ardian Nikulajt. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Ruben Ribeiro Saraiva u ekstradua nga Maroku dhe do të përballet me akuzat që rëndojnë ndaj tij në Shqipëri.
Lexo edhe :
Related Posts
“Falë mbështetjes së fortë të Interpol me të cilët po punojmë çdo ditë për gjetjen e personave në kërkim si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese të Marokut, sapo u përmbyll në Aeroportin “Nënë Tereza” ekstradimi i shtetasit Ruben Ribeiro Saraiva, person i kërkuar nga drejtësia shqiptare si i dyshuar për një krim të rëndë. Realizimi i këtij ekstradimi, edhe pse me Mbretërinë e Marokut nuk e kemi një marrëveshje ekstradimi, na ka krijuar tashmë eksperiencën por edhe besimin të vijojmë përpjekjet tona për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera. Përgëzime Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Interpol Tirana dhe djemve të palodhur të RENEA për realizimin e 78 ekstradimeve drejt Shqipërisë gjatë këtij viti që përmbyllim sot. Pres më shumë në Vitin e Ri 2024!”, bën me dije Balla.
Saraiva akuzohet nga drejtësia shqiptare si personi që qëlloi me 7 plumba, duke e lënë të vdekur në vend biznesmenin Ardian Nikulaj në Shëngjin.
Arratia e Ruben Saraivës nuk zgjati më shumë se 19 ditë. Pas krimit, ai arriti të largohej në Greqi nga Kapshtica e më pas të kalonte në Marok, ku edhe u arrestua.
Njoftimi i Interpol Tirana
Sillet në Shqipëri, shtetasi portugez autor i dyshuar i vrasjes me armë zjarri, të shtetasit A. N..
28-vjeçari u kap në Marok, falë informacionit të siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit, shkëmbimit të tij në kohë reale dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit.
Specialistët e Interpol Tiranës bënë të mundur ekstradimin në vendin tonë, të shtetasit R. S., 28 vjeç, lindur në Portugali.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Shtetasi R. S. dyshohet se më datë 19.04.2023, në ambientet e lokalit, ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. N..
Falë bashkëpunimit mes Interpol Marokut dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur ekstradimi i këtij shtetasi, në vendin tonë.
Më herët, si rezultat i reagimit në kohë, punës profesionale hetimore dhe gjurmuese, sigurimit të inteligjencës policore, shkëmbimit në kohë të informacionit me homologët, si dhe falë bashkëpunimit të suksesshëm me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, u bë e mundur kapja dhe arrestimi dhe i shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
/vizionplus.tv