“2023, vit i vështirë”/ Pendarovski uron festat: Le t’i tejkalojmë keqkuptimet, të jemi tolerantë dhe t’i japim përparësi të mirës

10 months ago 29

Presidenti Stevo Pendarovski e vlerësoi vitin 2023 si vit të vështirë në të cilin nuk kishte shumë arsye për gëzim dhe festë.

Për shkak të krizave globale dhe problemeve të brendshme, sipas presidentit, tek qytetarët ka apati dhe zhgënjim, por edhe në kohët më të vështira besimi dhe shpresa nuk kanë humbur.

“Duhet të kthehemi te vlerat që i japin kuptim jetës. Në vitin e ri të jemi më të mirë, më të bashkuar, më tolerant si individë dhe si komunitet. Le t’i kapërcejmë keqkuptimet që na pengojnë vite të tëra. Në vend të garës për të mira materiale, le t’i japim përparësi të mirës”, tha Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Në urimet e tyre për Vitin e Ri, zyrtarët theksuan integrimin evropian dhe përparimin ekonomik. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se është optimist dhe se ka njerëz me energji që mund të udhëheqin rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Union. Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi bëri thirrje për bashkim në frontin evropian. Në fjalën e tij ai tha se viti 2024 do të jetë vit me sfida të mëdha.

“Por, vitin që kemi para nesh, e kemi vit me një sfidë të madhe, sfidë të betejës midis Rusisë dhe përkatësisë sonë euro-amerikane. Ne, të gjithë bashkë, gjithnjë kemi ngadhënjyer dhe përkatësinë tonë perëndimore nuk kemi lejuar që ta cenojë asnjë agjendë, prandaj dhe kemi nisur formimin e frontit evropian dhe kemi shtruar dorën e bashkëpunimit. Të bashkohemi, të bëhemi një dhe dorëzan të së ardhmes euro-amerikane të vendit tonë“- theksoi Artan Grubi, zv/kryeministër i parë.

Përderisa pushteti pret vit me sfida, opozita paralajmëron vit me ndryshime. Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski tha se qytetarët kanë kaluar kohë të vështira dhe uroi rikthimin e Maqedonisë, ndërsa Izet Mexhiti nga Lëvizja Evropiane për Ndryshim bëri thirrje që t’i jepet fund qeverisjes së keqe.

“Kemi forcë për sukses të madh dhe cilësi në vitin 2024 për të krijuar një të ardhme në të cilën të gjithë do të ndihen më mirë. Do të ketë standard më të lartë, do të ketë rend, moral dhe drejtësi, promovim të interesave nacionale dhe shtetërore”- u shpreh Hristian Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

“Viti që vjen do të jetë vit i zgjedhjeve të reja parlamentare, do të jetë viti i ndryshimit. Por, një ndryshim i vërtetë kërkon përpjekje të përbashkëta, kërkon pjesëmarrje aktive të të gjithëve jo vetëm për të sjellë ndryshimin, por edhe për ta ngjallur shpresën. Lëvizja Demokratike gjithnjë e më shumë po fuqizohet. Tash jemi një grup i madh, në të cilin janë përfshirë shumë të rinj që mendojnë ndryshe, që e dinë të vërtetën” – shtoi Izet Mexhit, kryetar i Lëvizjes Evropiane për Ndryshime.

Sipas opozitës, viti 2023 do të mbahet mend si vit i dështimit të plotë të pushtetit aktual.

Top Channel

Read Entire Article