EMRI/ I dënuar me 24 vite burg për vrasje në një diskotekë gjatë Vitit të Ri, autori dorëzohet në polici

1 week ago 27

I akuzuari për një vrasje në vitin 2010 në një diskotekë në qytetin e Pejës, Granit Elshani, është dorëzuar në Policinë e Kosovës dhe më pas është dërguar në Qendrën e Paraburgimit. Në shtator të vitit 2024, Gjykata e Apelit e ka gjetur fajtor Granit Elshanin.

Avokatja e Granit Elshanit, Kosovare Kelmendi, tha për KALLXO.com se Elshani ka ardhur në Kosovë sot, më 04.11.2024 dhe është dorëzuar. “I njëjti ka arritur [në Kosovë] dhe është dorëzuar në polici ashtu sikur i kam njoftuar përmes emalit zyrtarisht, dhe e kam dërguar në Qendrën e Paraburgimit”, tha avokatja Kelmendi.

“Ai nuk ka qenë as në arrati, ka qenë i lirë për një vit, ka qenë në Zvicër t’u punu. Vendimi për caktim të paraburgimit është marrë më 24 shtator dhe në momentin që ka përfunduar kontratën e punës që ka pasë atje edhe pak do kontrolle shëndetësore i ka pasur dhe ka ardhur sot”, shtoi tutje Kelmendi më 04.11.2024.

KALLXO.com ka raportuar më 27.09.2024 lidhur me lëshimin e urdhëresës ndaj të pandehurit Granit Elshani për Stacionin Policor në Pejë, që i njëjti të dërgohet nga shtëpia e tij në Qendrën e Paraburgimit.

Gjykata e Gjakovës kishte konfirmuar se është njoftuar nga Policia e Kosovës se Granit Elshani nuk ishte gjetur në shtëpinë e tij. Kështu kishte konfirmuar Gjykata e Gjakovës në një përgjigje për KALLXO.com më 27.09.2024. Gjykata e Apelit i ka shqiptuar Granit Elshanit dënim me burgim në kohëzgjatje prej 24 viteve.

Përmes këtij aktgjykimi, i akuzuari Granit Elshani është shpallur përgjegjës për veprat penale – vrasje e rëndë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Me këtë vendim, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Gjakovës të datës 26.02.2024, e cila e kishte liruar Granit Elshanin nga akuzat për dy veprat penale të lartcekura. Ankesa e Prokurorisë kundër aktgjykimit paraprak ishte gjetur e bazuar nga kolegji i përbërë prej gjyqtarëve Ferit Osmani-kryetar, dhe anëtarëve Afërdita Bytyçi dhe Burim Ademi.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar se më 02.01.2010, rreth orës 22:45, në një diskotekë në Pejë, e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka”, me qëllim hakmarrjeje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin V.K., Granit Elshani me dashje eventuale ka privuar nga jeta viktimën B.Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve V.K. dhe A.B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm. Dispozitivi i aktgjykimit përshkruan se në natën kritike Granit Elshani ka hyrë në diskotekë, ku po festohej Viti i Ri, me qëllim për ta privuar nga jeta V.K., dhe ka nxjerrë dy armë, një revole ngjyrë të zezë dhe një ngjyrë të bronztë dhe ka filluar të gjuajë në drejtim të tij, me ç’rast në afërsi me V.K. ishte viktima B.Sh.

Nga këto gjuajtje viktima B.Sh. është goditur nga një predhë në gjoks, e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa V.K. po ashtu është goditur me një predhë në gjoks, me ç’rast është plagosur dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. Aktgjykimi përshkruan se i akuzuari në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, me dy armët që i mbante në duar përpjetë, ka vazhduar të gjuajë në drejtime të ndryshme brenda lokalit dhe me këtë rast me një predhë e ka goditur të dëmtuarën A.B., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

E njëjta po festonte Vitin e Ri me miqtë e saj. I akuzuari me gjuajtjet me armë, sipas vendimit, ka vënë në rrezik një numër të madh të personave që ishin duke festuar në diskotekë. Gjykata më tej ka vërtetuar se në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, Granit Elshani është vërejtur dhe përcjellë nga i dëmtuari – zyrtari policor H.B., i cili nuk ishte në detyrë zyrtare në natën kritike, por ishte në diskotekë duke festuar.

Gjatë ikjes, sipas vendimit, i pandehuri Granit Elshani ka shtënë në ajër dhe e ka gjuajtur me pistoletë policin, i cili po përpiqej ta ndalonte, duke i shkaktuar të njëjtit lëndim të rëndë trupor. Në dënimin me burgim të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 25.10.2016 deri më 30.11.2023. Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë, 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Më 31.05.2018, Granit Elshani ishte dënuar për herë të parë nga Gjykata e Pejës me 25 vjet dënim me burgim por Apeli rastin e kishte kthyer në rigjykim. Lidhur me këtë rast, më 14.03.2022 Elshani për herë të dytë ishte dënuar nga Gjykata e Gjakovës me 24 vjet burgim nën akuzën se ka kryer një vrasje dhe dy vepra të tjera penale.

Ky vendim ishte apeluar nga palët duke e kthyer rastin në rigjykim për t’u gjykuar nga Gjykata e Gjakovës.Më 26.02.2024, Gjykata e Gjakovës e kishte liruar nga dy akuzat Granit Elshanin, por në shtator të vitit 2024, Gjykata e Apelit e ka dënuar me 24 vjet burg./Kallxo/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article