Platforma për regjistrimin e zgjedhësve nuk miratohet nga rregullatori/ Çfarë po ndodh me votën e emigrantëve?

1 week ago 21

Komisioni Rregullator nuk ka aprovuar në parim projektvendimin “Për miratimin e karakteristikave themelore të funksionalitetit të platformës elektronike për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.”

Shumica e anëtarëve të Komisionit kanë shprehur se ky organ nuk ka autoritetin për të miratuar vendimin në fjalë. Sipas tyre, kjo kompetencë i takon Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Dritan Çaka, një nga anëtarët e Komisionit Rregullator, kërkoi shpalljen e mungesës së kompetencës për miratimin e këtij akti, duke theksuar se kjo duhet të jetë përgjegjësi e KQZ-së.

“Komisioni rregullator nuk e ka kompetencën e dhënë nga Komisioneri i Zgjedhjeve, për shqyrtimin e një akti të tillë. Kam propozuar që të jetë Komisioneri i Zgjedhjeve që ta miratoj këtë akt. Gjykoj se ai mund të jetë struktura që ta shqyrtojë këtë akt. Vlerësoj se ne nuk jemi struktura kompetente. Të shqyrtojmë marrjen e një vendimi për mos kompetencë, lidhur me miratimin e aktit që është në rend të ditës”, tha Çaka.

Por, nga ana tjetër, anëtarja e Komisionit, Helga Vukaj tha se “ne jemi organi që kemi kompetencë që ta miratojmë”.

Kurse Jona Josifi, drejtore e Votimit nga Jashtë nënvizoi se “përderisa e kemi sjellë për miratim mendojmë se është kompetencë e Rregullatorit”.

Kryetarja, Ilirjana Nano theksoi se mbështet propozimin për shpalljen e mos kompetencës. Pas leximit të relacionit për projektvendimin nga ana e Josifit, anëtarët e Komisionit Rregullator votuan me 3 vota kundër, dhe 2 pro, miratimin në parim.

“I qëndroj arsyetimit që bëra më pare. Unë dua të shpreh votën time kundër, për shkak se mendoj se nuk është kompetencë e jona shqyrtimi i draftit”, tha Çaka.

“Vlerësova se nuk kemi kompetencë, nuk miratohet në parim”, u shpreh kryetarja Ilirjana Nano.

Dokumenti i diskutuar sot nga Komisioni Rregullator përshkruan rregullat për krijimin dhe funksionimin e Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER) për zgjedhësit jashtë Shqipërisë. Platforma synon të lehtësojë regjistrimin, administrimin dhe shqyrtimin e kërkesave për të votuar nga jashtë. Ajo do të përfshijë mjete të identifikimit dhe verifikimit biometrik, të dhënash personale dhe të dokumenteve të identifikimit, duke siguruar sigurinë dhe transparencën e procesit​.

Platforma Elektronike e Regjistrimit (PER) për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë Shqipërisë është një projekt që synon të krijojë një sistem të sigurt dhe të besueshëm për qytetarët shqiptarë që duan të votojnë nga jashtë vendit. Ky projekt bazohet në disa aspekte kryesore të organizuara në tre pjesë kryesore

Rregullat e Përgjithshme të Regjistrimit

Zgjedhësit që dëshirojnë të votojnë nga jashtë paraqesin kërkesë për regjistrim në listën e zgjedhësve nga jashtë vendit përmes PER, e cila krijohet dhe përditësohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Aplikimet përfshijnë një proces verifikimi të identitetit për të garantuar se zgjedhësit janë të ligjshëm dhe të identifikueshëm.

Karakteristikat dhe Funksionaliteti Teknik i PER

Platforma përfshin dy module kryesore: Moduli i regjistrimit, ku zgjedhësi plotëson të dhënat personale, biometrike dhe identifikuese, përmes ngarkimit të dokumenteve të identifikimit dhe verifikimit të adresës jashtë vendit. Moduli i shqyrtimit të kërkesave, i cili lejon KQZ-në të verifikojë dhe të vlerësojë kërkesat e dorëzuara nga zgjedhësit.

Platforma është ndërtuar për të mbledhur dhe përpunuar të dhëna të ndryshme përmes teknologjive të njohjes biometrike dhe kontrollit të pranisë së gjalli të personit (ang. “user liveness check”) për të siguruar autenticitetin e identitetit të zgjedhësve. Mbrojtja e të dhënave është një komponent i rëndësishëm. Të gjitha të dhënat personale të zgjedhësve do të ruhen në pajisje të siguruara nga KQZ dhe të menaxhuara në përputhje me rregulloret për mbrojtjen e të dhënave personale.

Mirëmbajtja, Mbikëqyrja dhe Auditimi i PER

KQZ është përgjegjëse për mirëmbajtjen e platformës dhe do të hartojë një Marrëveshje për Nivelin e Shërbimit (SLA) me ofruesin e shërbimit për të garantuar qëndrueshmërinë e “PER”. Auditimi dhe transparenca janë të garantuara, duke përfshirë të drejtën e partive politike, organizatave joqeveritare, dhe mediave për të vëzhguar proceset e testimit dhe auditimit. KQZ mundëson auditime të pavarura për të siguruar që platforma të jetë në përputhje me standardet e kërkuara dhe për të minimizuar çdo rrezik për ndërhyrje të paautorizuara apo gabime teknike.

Këto masa synojnë që PER të ofrojë një proces të sigurt dhe transparent për regjistrimin e zgjedhësve jashtë Shqipërisë dhe të garantojë besueshmërinë dhe aksesin për të gjithë zgjedhësit që ndodhen jashtë vendit​.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article